E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi i BE: Feith në Kosovë deri në 31 gusht

Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian në Bruksel ka vazhduar mandatin e Përfaqësuesit special të BE-së në Kosovë, Pieter Feith deri më 31 gusht. Në takimin e Ministrave të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme, pa debat është miratuar vendimi për vazhdimin e mandatit të përfaqësuesit evropian në Kosovë, edhe pse ishte parashikuar që kjo të bëhet në takimin e shefave të diplomacisë së shteteve të BE-së në takimin e së hënës, kur ata i vazhduan mandatet gjashtëmujore të gjithë të dërguarve evropianë në botë.

Në këtë takim, zyrtarët sqaruan se mandatet e të dërguarëve special të 27-shes evropiane në botë mund të rishqyrtohen deri nga mesi i këtij viti kur të jetë formuar Shërbimi për veprim të jashtëm evropian. E kjo, bazuar në Marrëveshjen e Lisbonës, është strukutrë e diploamcisë së fortë të Bashkimit Evropian, për të cilën janë duke punuar Komisioni Evropian, Këshilli i Ministrave dhe anëtaret e Bashkimit Evropian.

Për momentin nuk është debatuar për vazhdimin e mandatit të Feith, sepse vendimi për këtë është dakorduar përmes Komitetit të përfaqësuesve të përhershëm të anëtarëve të Bashkimit Evropian dhe strukturave tjera.
Para këtij vendimi janë dëgjuar zëra të ndryshëm nga anëtaret e BE-së që nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, që kanë shprehur rezerva në veprimin e tij neutral ndaj statusit si bartës i mandatit të Bashkimit Evropian, nëse si shef i Zyrës Civile Ndërkombëtare ka për qëllim zbatimin e Planit të Ahtisarit.
Deri në marrjen e këtij vendimi Beogradi zyrtar është ngushëlluar ndaj qëndrimit të Spanjës e cila ishte skeptike ndaj vazhdimit të këtij mandati, dhe Sllovakisë, e cila përmes shefit të diplomacisë, Mirosllav Lajçak ishte shteti i vetëm i cili ishte shprehur në takimin e së hënës, se Pieter Feith duhet të respektojë qëndrimet individuale të 27-shes evropiane për Kosovën.

Agim Popoci

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›