E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisma ligjore e PS, kutitë të hapen në çdo zgjedhje

TIRANE-Socialistët kërkojnë të sanksionojnë me ligj hapjen e kutive të votimit, kur këto kërkohen nga shumica e anëtarëve të komisionit hetimor parlamentar. Gazeta Shqiptare ben te ditur se kjo propozohet nga socialistët në nismën e parë ligjore, e cila depozitohet sot në Kuvend, sipas rregullores. Në materialin e parë, të përgatitur nga sekretari për çështjet ligjore, Fatmir Xhafa dhe sektori ligjor i PS-së, kërkohen të bëhen ndryshime në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”. Në nenin 17 të këtij ligji, PS-ja propozon që, “në rastet kur objekti i hetimit lidhet me çështje të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin ose për qeverisjen vendore dhe në shërbim të hetimeve mbi çështjet, shumica e anëtarëve të komisionit mund të vendosë hapjen e një apo disa kutive të materialeve zgjedhore për të këqyrur, hetuar ose publikuar një apo disa nga dokumentet zgjedhore dhe/ose hapjen e një apo disa kutive të fletëve të votimit duke kryer rinumërimin e tyre për efekt të verifikimit të problemeve të mundshme, të evidentuara gjatë procesit të pasqyrimit të rezultatit të numërimit të votave në tabelat përkatëse të rezultateve”. Në nenin 4, pas pikës 6, shtohet pika 6/a me këtë përmbajtje: 6/a. “Në rast se kërkohet ngritja e komisionit hetimor për hetimin e çështjeve që lidhen me zgjedhjet e përgjithshme ose ato të qeverisjes vendore, ky komision nuk mund të ngrihet në rast se kanë kaluar: 6 muaj nga dita kur KQZ ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të përgjithshme të Kuvendit; ose 3 muaj nga dita kur KQZ ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për qeverisjen vendore”, citohet në projekt-propozim. Ndërsa në nenin 9 pas pikës 3 të ligjit shtohet një pike 3/a me këtë përmbajtje : “3/a. Në rastet kur objekti i hetimit lidhet me çështje të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin apo të qeverisjes vendore, shumica e anëtarëve të komisionit hetimor i përket partisë më të madhe të opozitës”.
Nisma e dytë
Ndërkaq, një tjetër nismë e paraqitur prej PS-së lidhet vetëm me zgjedhjet e 28 qershorit 2009. PS propozon ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar të përbërë nga 15 anëtarë, ku shumica i takon partisë më të madhe të opozitës. Si objekt të hetimit të këtij komisioni, PS propozon hetimin e akuzave dhe dyshimeve publike të ngritura nga partitë politike, si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë për moszbatim të legjislacionit në lidhje me procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave në VNV-të. Socialistët propozojnë të hetojnë dyshimet dhe akuzat e ngritura nga partitë dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë për proces të parregullt votimi në qendrat e votimit. Në këtë nismë saktësohet qartë se “hetimi i shkeljeve, objekt i veprimtarisë së këtij komisioni, është i pakufizuar për sa i përket natyrës së materialeve, dokumenteve apo provave që kërkohen të administrohen nga organet përgjegjëse. Procesi i hetimit, përveç dokumenteve apo provave të tjera që parashikon ligji në fuqi, do të përfshijë edhe këqyrjen dhe administrimin e materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit që ndodhen në kutitë e votimit nën administrimin e KQZ-së”. PS kërkon të hetojë edhe veprimtarinë e administratës së KQZ-së, të hetojë akuzat publike për përdorim të mjeteve publike, si dhe të administratës publike të çdo niveli, në favor të subjekteve të caktuara zgjedhore. Në objektin e hetimit janë fiksuar edhe akuzat e presionet e ushtruara për largime nga detyra të punonjësve në administratën publike, lejet e dhëna për të liruar personat e dënuar etj.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›