Vendimi i BE-së, ndëshkime për punëdhënësit e emigrantëve ilegalë
Ndëshkimet, nga gjobë deri në disa vite burg
Specialisti i MPÇSSHB sqaron direktivën
Parlamenti Evropian ka miratuar përpara pak ditësh direktivën që ndëshkon nga gjoba financiare deri në disa vite burg, të gjithë punëdhënësit në BE që punësojnë emigrantë ilegalë. Direktivat e Parlamentit Evropian duhet të kthehen në ligje në çdo vend të BE-së deri në dy vjet pas miratimit të tyre. Në këtë mënyrë, pas hyrjes në fuqi, edhe emigrantët shqiptarë që nuk kanë dokumente të rregullta në vendin ku jetojnë do të përballen me masa të ashpra për të gjetur një vend pune.
Direktiva
Specialisti në Ministrinë e Punës, z. Durim Hatibi, sqaron se kjo direktivë synon të ndëshkojë jo vetëm ata që jetojnë ilegalisht, por edhe ata që kanë shkelur vizën e hyrjes akoma, edhe me pak ditë, apo “Kartën Blu”. “Megjithatë, shtetet anëtare janë të lira të ndëshkojnë më me pak ashpërsi punëdhënësit, “persona fizikë” që kanë punësuar për qëllime private një të huaj si bashkëpunëtor familjar”, – thotë z. Hatibi. “Duhet theksuar se direktiva, ndërsa në thelb parashikon ndëshkime, që luhaten nga gjoba administrative në ndëshkime penale në varësi të shkallës së rëndimit, numrit dhe vazhdueshmërisë së punësimit të paligjshëm, synon po kështu që emigrantët të trajtohen me ndershmëri dhe drejtësi”. Në këtë mënyrë, punëdhënësit duhet të sigurohen, duke verifikuar që para se të punësojnë dikë nga shtetet joanëtare, ata të kenë një leje të vlefshme qëndrimi. Me mbylljen e procedurës së votimit, direktiva do të jetë e zbatueshme dy vjet pas botimit të saj në Gazetën Zyrtare të BE-së.
Detyrimet e punëdhënësve
Sipas direktivës, shtetet anëtare duhet t’i detyrojnë punëdhënësit e shtetasve nga shtetet joanëtare të BE-së, që para se t’i punësojnë, të paraqesin lejen e tyre të qëndrimit apo autorizime të tjerë qëndrimi, si dhe të regjistrojnë një kopje të një dokumenti të tillë, të paktën për kohështrirjen e punësimit të tyre. “Kështu, gjatë inspektimeve të mundshme në vendet e punës, ato mund t’iu paraqiten autoriteteve kompetente kombëtare. Po kështu, punëdhënësit duhet të njoftojnë autoritetet kompetente për fillimin e punësimit të një shtetasi nga shtetet joanëtare brenda afateve të vendosura nga shteti anëtar”, – bëri të ditur z. Hatibi.
Sipas tij, shtetet anëtare janë të lira të vendosin një procedurë të thjeshtësuar njoftimi, nëse punëdhënësi është person fizik që punëson për qëllime private. Nëse punëdhënësit plotësojnë këto dispozita, nuk mund të quhen fajtorë për punësimin e imigrantëve klandestinë, me përjashtim kur janë të vetëdijshëm dhe e dinë se dokumenti i paraqitur është i rremë.
Ndëshkimet financiare
Me hyrjen në fuqi të direktivës, shtetet anëtare duhet të marrin masat e nevojshme, me qëllim që punëdhënësit që punësojnë fuqi punëtore nga shtete joanëtare të paligjshme “t’iu nënshtrohen ndëshkimeve efektive, proporcionale dhe ç’këshilluese”. Këtu mund të përfshihen ndëshkime financiare që rriten, sipas numrit të shtetasve nga shtetet joanëtare të punësuar paligjshmërisht, si dhe pagesa e kostove lidhur me riatdhesimin. Sidoqoftë, mund të parashikohen ndëshkime të reduktuara për persona fizikë që punësojnë për qëllime private dhe nëse “nuk ekzistojnë kushte pune veçanërisht shfrytëzuese”. Po kështu, punëdhënësit duhet të shlyejnë pagesat e prapambetura për shtetasit nga shtetet joanëtare të punësuar, që paramendohet t’i korrespondojnë pagës minimale të vendosur me ligj, nga marrëveshjet kolektive, apo nga praktika e sektorit në fjalë. Nëse është rasti, duhet të paguajnë edhe të gjitha kostot që burojnë nga transferimi i kontributeve të prapambetura në vendin ku riatdhesohet punëtori.
Shtetet anëtare gjithashtu duhet të ngrenë dhe të kujdesen të funksionojnë mekanizmat e duhur që shtetasit nga shtetet joanëtare të punësuar paligjshmërisht të mund të paraqesin kërkesë, por edhe për të bërë efektiv ekzekutimin e një vendimi ndaj punëdhënësit për çdo pagesë të prapambetur edhe në rastet e riatdhesimit me forcë apo me dëshirë, pra punëtori të mund të marrë një pagesë të tillë.
Janë përcaktuar norma specifike për rastet e tenderimeve, duke mos cenuar atë që “një tenderues, i cili i ka shlyer detyrimet e tij me përkujdesin e parashikuar nga legjislacioni kombëtar, të mos jetë përgjegjës”.
Ndëshkimet administrative
Shtetet anëtare duhet të marrin masat e duhura që punëdhënësi të jetë edhe subjekt, nëse është rasti, i përjashtimit nga përfitime të disa apo të të gjitha shërbimeve, financimeve apo ndihma publike, përfshirë edhe fondet të BE-së të menaxhuara nga shtetet anëtare, që i janë dhënë punëdhënësit 12 muaj para konstatimit të punësimit të paligjshëm. Së fundi, mund të vendoset mbyllja e përkohshme apo përfundimtare e ndërmarrjes ku ka ndodhur shkelja apo anulimi i përkohshëm apo përfundimtar i licencës së ushtrimit të aktivitetit ekonomik në fjalë, “nëse justifikohet rëndesa e situatës”. Shtetet anëtare sidoqoftë kanë lirinë të përjashtojnë nga këto ndëshkime punëdhënësin që është person fizik dhe që ka punësuar për qëllime private.
Ndëshkimet penale
Me hyrjen në fuqi të direktivës, shtetet anëtare duhet të garantojnë që shkelja e ndalimit për të punësuar imigrantë të paligjshëm, nëse është e qëllimshme “të përbëjë shkelje”, ashtu si parashikohet nga legjislacioni kombëtar dhe nëse përsëritet vazhdimisht dhe ka të bëjë me punësimin e njëhershëm të një numri të konsiderueshëm të shtetasve nga shtetet joanëtare në situata të parregullta dhe nëse shoqërohet nga situata të shfrytëzimit të veçantë, nëse kryhet nga një punëdhënës i vetëdijshëm se po punëson një viktimë të trafikimit të qenieve njerëzore dhe së fundi, nëse punësojnë paligjshmërisht një të mitur. Ndëshkohen si shkelje edhe nxitja, favorizimi dhe bashkëpunimi në kryerjen e akteve të sipërcituara.
Ata që kryejnë këto shkelje duhet të ndëshkohen me ndëshkime penale “efektive, proporcionale dhe çkëshilluese” të zbatueshme sipas legjislacionit kombëtar, përveç ndëshkimeve apo masave të tjera të natyrës jopenale. Direktiva parashikon edhe dispozita të ngjashme për persona juridikë, duke i mundësuar për më tepër shteteve anëtare të bëjnë publike një listë të atyre që kanë kryer shkelje të tilla. Në çdo rast, përgjegjësia e personave juridikë nuk përjashton veprime penalë kundër personave fizikë që kryejnë një prej këtyre shkeljeve apo nxisin dikë për t’i kryer ato, apo që marrin pjesë në kryerjen e tyre.
Lehtësimi i denoncimeve edhe nga ana e sindikatave dhe organizatave joqeveritare
Direktiva u kërkon shteteve anëtare, që të bëjnë efektive mekanizma për t’i mundësuar shtetasve nga shtetet joanëtare që janë punësuar paligjshmërisht, të paraqesin denoncime kundër punëdhënësve të tyre, qoftë drejtpërdrejt, apo edhe përmes palëve të treta të përcaktuara nga shtetet anëtare, si sindikata, apo shoqata të tjera, apo një autoritet kompetent, si të jetë parashikuar nga legjislacioni kombëtar. Edhe palë të treta që kanë një interes të ligjshëm për të garantuar se do të zbatohen dispozitat e direktivës mund të nisin të gjitha procedurat administrative apo civile të parashikuara në të mirë dhe në emër të imigrantit të paligjshëm me miratimin e tij. Po kështu saktësohet se asistenca e ofruar për të paraqitur denoncim “nuk duhet konsideruar favorizim i qëndrimit të paligjshëm”.
Në rastet kur shkelja ka të bëjë me “një situatë të një shfrytëzimi të veçantë”, apo me punësimin e paligjshëm të një të mituri, shtetet anëtare duhet të përcaktojnë kushtet, sipas të cilave mund të lëshohet, rast pas rasti një leje qëndrimi me kohëzgjatje të kufizuar.
Garantimi i inspektimeve të përshtatshme, sidomos në sektorët më me rreziqe
Shtetet anëtare duhet të garantojnë se do të kryhen “inspektime efikase dhe të përshtatshme në territorin e tyre” për të kontrolluar punësimin e shtetasve nga shtete joanëtare me qëndrim të parregullt. Saktësohet se këto inspektime duhet të bazohen mbi gjithçka në vlerësimin e rreziqeve nga ana e autoriteteve kompetente të shteteve anëtare. Përveç kësaj, shtetet anëtare për t’i bërë edhe më efikase duhet të identifikojnë periodikisht sektorët e aktiviteteve, ku në territorin e tyre përqendrohet punësimi i shtetasve nga shtetet joanëtare, që qëndrojnë paligjshmërisht në territorin e tyre. Lidhur me secilin prej këtyre sektorëve, shtetet anëtare, çdo vit brenda 1 korrikut duhet t’i njoftojnë Komisionit Evropian numrin e inspektimeve të kryera në vitin paraardhës, të shprehur në numër absolut dhe përqindje të punëdhënësve në secilin sektor, duke referuar edhe rezultatet.
Rishikimi i direktivës
Brenda tre vitesh nga data e zbatimit të direktivës, komisioni duhet t’i paraqesë Parlamentit dhe Këshillit Evropian një relacion, ku të përmbahen propozime për modifikimin e dispozitave, lidhur me shlyerjen e pagesave të prapambetura, ndëshkimet administrative, tenderimet dhe lehtësimin e denoncimeve, si dhe inspektimet.