E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta, Rama del derë më derë



Qytetarët harrojnë mitingun, ankohen për probleme të tjera

Kreu i PS-së detyrohet të sqarojë arsyet e daljes në shesh

Si rrallë ndonjëherë në prag të protestave të organizuara nga opozita, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka marrë përsipër që të dalë derë më derë për t’u kërkuar qytetarëve të Tiranës që të marrin pjesë në protestën e ditës së diel me rastin e njëvjetorit të tragjedisë së Gërdecit. Edhe pse me moton “Mos harro” dhe me një arsye të qartë të vizitës së djeshme në lagjen “Ali Demi”, qytetarët që janë takuar me kreun e PS-së, kanë gjetur rastin për të shprehur pakënaqësi për probleme të tjera që i shqetësojnë pa u fokusuar tek ajo çfarë kërkonte kryetari i PS-së. Së fundmi, i gjendur përballë ankesave të qytetarëve, kryetari i PS-së është detyruar që të shpjegojë edhe një herë arsyen e vizitës së tij në atë lagje. Rama ka sqaruar se është në këtë lagje bashkë me vullnetarët për të sensibilizuar të gjithë banorët e saj për të qenë të pranishëm me zërin e tyre në manifestim. “Kemi dalë me vullnetarët për të lajmëruar për manifestimin e ditës së diel, në orën 18:00, në sheshin “Skënderbej”. Është 1-vjetori i tragjedisë së madhe që ndodhi në Gërdec dhe duam të bëjmë manifestim të madh qytetar, jo partiak. Të gjithë bashkë, parti, shoqata, familje, sipërmarrje për një ndryshim të madh”, - është shprehur Rama. Nuk dihet cilat janë arsyet që e kanë detyruar kryetarin e Partisë Socialiste që të ndërmarrë një nismë të tillë, por se çfarë mbështetjeje gëzon PS-ja e LSI-ja për këtë protestë pritet që të tregohet pasditen e së dielës. Pavarësisht nga përpjekjet e dy partive të majta për të organizuar secila protestë në kujtim të tragjedisë së gërdecit, duket se përplasjet janë të pashmangshme. Protestat janë parashikuar në të njëjtën orë dhe ato do të zhvillohen në dy sheshet kryesore të Tiranës, PS-ja tek sheshi “Skënderbej” për t’u drejtuar tek Kryeministria përmes bulevardit kryesor dhe LSI-ja tek sheshi “Nënë Tereza” edhe kjo e fundit për t’u nisur drejt godinës së Kryeministrisë. Motot e dy protestave janë të ndryshme. PS-ja do të protestojë me moton “Mos harro”, ndërsa LSI-ja me moton “Berisha ik!” Replikat mes palëve kanë qenë të shpeshta gjatë këtyre ditëve, por më shumë mes LSI-së e G99-s të Erion Veliajt. Nismën e LSI-së Veliaj e ka konsideruar antimiting dhe kjo sipas tij, tregon dëshpërimin e kryetarit të kësaj partie, Ilir Meta. “Është e vërtetë që atë ditë do të ketë një antimiting nga zoti Meta dhe kjo është një shenjë dëshpërimi. Në një moment që na duhet sa më shumë solidaritet dhe dinjitet, kemi disa politikanë që as solidarë as dinjitozë nuk janë. Do të kemi protestën tonë dhe nuk do t’i japim kurrë zotit Meta apo zotit Berisha kënaqësinë e një konfrontimi, sepse thelbi i protestës ditën e diel është rifitim i dinjitetit të të gjithë qytetarëve shqiptarë nga koalicioni Meta-Berisha”, - tha Veliaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›