E Diel, 1 Nëntor 2026

Panariti në Kosovë, takime me Petroviç dhe Krasniqin

Në vijim të vizitës së tij zyrtare në Kosovë, Ministri i Punëve të Jashtme, zoti Edmond Panariti u takua dhe zhvilloi bisedime me zv.kryeministrin dhe Ministrin e Administrimit dhe Pushtetit Lokal të Republikës së Kosovës, zotin Sllobodan Petrovic.
 

Që në fillim të fjalës së tij, z. Panariti e uroi Zv.Kryeministrin Petrovic për progresin e konsiderueshëm të arritur në Kosovë, që mundësoi përmbylljen e procesit të pavarësisë së mbikëqyrur, marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe nisjen e studimit të fizibilitetit të MSA-së së Kosovës me BE, progres i cili nuk mund të arrihet dhe pa kontributin dhe vizionin evropian të z. Petrovic, si ministër i Qeverisë së Kosovës dhe njëkohësisht, përfaqësues i denjë i komunitetit serb në Kosovë.

Z.Petrovic informoi Ministrin Panariti për ecurinë e suksesshme të procesit të decentralizimit në jug dhe në veri të lumit Ibër, në zbatim të Paketës Ahtisari, pjesë e së cilës është edhe hapja së fundi e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës. Ai vërejti me kënaqësi se kur nisi procesi i decentralizimit dy vjet më parë, gjatë përgatitjeve për hapjen e kësaj zyre në veri kishte vetëm rreth 20 qytetarë të komunitetit serb, që aplikuan për të bashkëpunuar me këtë zyrë. Aktualisht numri i aplikuesve ka shkuar në disa qindra. "Ky është rezultat i punës tonë si qeveri dhe si ministri pasi kapitali më i madh për ne janë qytetarët tanë në veri të Kosovës"- u shpreh z. Petrovic.
 

Të dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin se realizimi i procesit të decentralizimit në veri të Mitrovicës ka nevojë për pjesëmarrjen e të gjithë faktorëve relevantë. Me këtë rast, Petrovic kërkoi që Shqipëria, njëlloj si më parë, të vazhdojë të kontribuojë me qëllim që të përfundojë procesi i integrimit të komuniteteve pakicë në insititucionet e Kosovës. Ai gjithashtu shprehu besimin se Shqipëria do të vazhdojë të ndihmojë dhe ofrojë përvojën e saj në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe MSA të Kosovës me BE.
 

Ministri Panariti u takua me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi.Biseda e tyre u përqendrua në koordinimin dhe bashkërendimin e mëtejshëm të veprimtarive të përbashkëta të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë.
 

Të dy bashkëbisëduesit theksuan se bashkëpunimi mes dy vendeve në të gjitha fushat me interes të përbashkët do të fitojë dimensione të reja pas përmbylljes zyrtare të pavarësisë së mbikëqyrur. Ata ndanë mendimin se, megjithëse dy vendet kanë shënuar progres të konsiderueshëm në bashkëpunimin dypalësh, që nga shpallja e pavarësisë, ende nuk janë shfrytëzuar të gjitha potencialet dhe resurset që përbëjnë të dy vendet.

"Ka ardhur koha që potencialet tona t`i shndërrojmë në kapacitete prodhuese, që të dy ekonomitë tona të jenë komplementare, në shërbim të qytetarëve tanë" - theksoi Ministri Panariti. Kryetari Krasniqi, pasi e uroi Ministrin Panariti për marrjen e detyrës, e falënderoi për faktin që vizita e tij në Kosovë hapi siparin e vizitave të tij në rajon.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›