Vendimi për kërkesat e Bashës më 16 mars

Kolegji i Gjykatës së Lartë do të shpallë më 16 mars vendimin për kërkesat e bëra nga avokati i ministrit Basha në seancën e sotme gjyqësore. Sipas pretendimeve të paraqitura nga avokati, Gjykata e Lartë nuk ka kompetencë për të shqyrtuar këtë çështje. Nikaj i ka vlerësuar si të pa pavlefshme hetimet e Prokurorisë, duke pretenduar se afati i hetimeve ka skaduar. Pas daljes nga Gjykata e Lartë ministri Basha u shpreh se nuk do të merret me fabulat e prokurorisë por sipas prokurorisë, Lulzim Basha në kohën kur mbante postin e Ministrit të Transporteve, në bashkëpunim me ish-drejtorin juridik të këtij dikasteri ka abuzuar me fondet për ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash, pjesë e rrugës Durrës-Kukës. Hetimet për abuzimet me fondet nisën në fillim të vitit 2007 nga Prokuroria e Tiranës. Fillimisht nën akuzë u vunë: ish-zv/ministri i Transporteve, Armand Teliti, ish-drejtori juridik i këtij institucioni, Andi Toma dhe ish-drejtoresha e Përgjithshme e Rrugëve, Lejla Saraçi. Pritet që Ish ministri i Transporteve Basha të paraqitet sot në Gjykatën e Lartë sepse kjo seancë është kërkuar nga vetë ministri.