E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti, vdes një, plagoset dhe i vëllai

27/02/2009  Rëndë në spital

PUKE- Një aksident i rëndë i ndodhur mëngjesin e djeshëm në aksin rrugor Shkodër -Pukë ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme të një shtetasi si dhe plagosjen e të vëllait të tij që drejtonte mjetin. Aksidenti ndodhi në vendin e quajtur Qafë-Çelë në aksin rrugor Pukë-Shkodër. Burimet policore bëjnë të ditur se mjeti në të cilin po udhëtonin dy vëllezërit Ndue dhe Zef Nikolli përkatësisht 27 dhe 34 vjeç, ka dalë nga rruga kryesore dhe ka përfunduar në një greminë rreth 150 metra poshtë. Përplasjet dhe rrokullisjet e mjetit kanë nxjerrë drejtuesin e saj Ndue Nikollin përjashta duke e lënë të plagosur rëndë ndërkohë që vëllai i tij, Zefi ka mbetur i vdekur brenda mjetit. Drejtuesi i mjetit ndonëse i dëmtuar rëndë është ngjitur zvarrë deri në rrugë ku është parë nga kalimtarët e rastit, të cilët dhe kanë marrë vesh për aksidentin. Menjëherë kalimtarët kanë lajmëruar policinë e Shkodrës dhe të Pukës. Blutë e dy komisariateve veriore kanë dërguar me shpejtësi drejtuesin e mjetit në spitalin rajonal të Shkodrës, ku ndodhet i shtruar në repartin e reanimacionit, pasi dëmtimet e rënda e kanë çuar në një gjendje kritike për jetën. Ndërkohë blutë, pas 4 orësh kanë arritur të nxjerrin viktimën nga fuoristrada e shkatërruar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›