E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshojnë procedurat për regjistrimin e pasurive të paluajtshme

nevojshme

Eljona Ballhysa

Këshilli i Ministrave ka miratuar gjatë mbledhjes së djeshme procedurat që duhet të ndjekë një person për të regjistruar një pronë të paluajtshme. Kështu, në bazë të vendimit të qeverisë, individët që zotërojnë dokumente me të cilat provojnë pronësinë mbi një pasuri të paluajtshme, për regjistrimin e saj duhet t’i drejtojnë një kërkesë regjistruesit në zyrën e regjistrimit të pasurive.
Hapat që ndiqen
Pasi dërgon kërkesën për regjistrimin fillestar të pasurisë, individi duhet të provojë me dokumente pronësinë. Pronësia e një pasurie të paluajtshme vërtetohet nëpërmjet aktit të fitimit të pronësisë. Kështu, kërkuesi duhet të paraqesë në zyrën e regjistrimit të pasurisë aktin e fitimit të pronësisë, një plan-vendosje apo genplan të pasurisë, si dhe deklaratat noteriale të pronarëve të pasurive kufitare. Këto dokumente vlejnë edhe për regjistrimin e atyre pasurive, të cilat nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen për pozicion gjeografik dhe sipërfaqja e tyre është përcaktuar gjatë regjistrimit sistematik të pasurive të zonës kadastrale. Ndërsa personat që kërkojnë të kryejnë regjistrim fillestar pronësie, për truallin ose për truallin dhe objektin mbi këtë truall, duhet të paraqesin aktin e fitimit të pronësisë, të regjistruar ose të paregjistruar në regjistrin hipotekor, deklaratat noteriale të pronarëve të pasurive kufitare, që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për pronësinë dhe kufijtë e pasurisë, që pretendohet nga kërkuesi. Po kështu, duhet të paraqesin plan-vendosjen ose genplanin e pasurisë, dokumentacion nga arkivi teknik i ndërtimit, që pasqyron hartografisht gjendjen e pasurisë, si dhe mandatpagesën e shpenzimeve të regjistrimit ku përfshihen tarifa e taksa të ndryshme.
Lehtësirat
Në këtë vendim janë krijuar lehtësira në paraqitjen e dokumentacionit për individët. Kështu, në relacionin që i bashkëlidhet këtij vendi bëhet e ditur se në praktikë janë verifikuar raste në të cilat marrja e deklaratës noteriale ka qenë e pamundur. Kjo për shkak se në disa raste, si pronar kufitar i pronës së kërkuesit, ka qenë një institucion apo ent shtetëror dhe në këtë aspekt deklarata noteriale është zëvendësuar me një konfirmim zyrtar që lëshojnë titullarët e këtyre institucioneve. Gjithashtu janë vërejtur raste kur kërkuesi nuk ka mundur të marrë deklaratën noteriale të pronarit kufitar me pronën e tij, për shkak të marrëdhënieve të këqija të fqinjësisë apo në rastet kur prona ka disa pronar. Pikërisht për këto raste, në këtë vendim parashikohet zëvendësimi i deklaratës së pronarit kufitar me afishimin e genplanit apo plan-vendosjes në ambientet e dukshme të zyrës së regjistrimit të pasurive, për pasurinë për të cilën është bërë kërkesa për regjistrim. Genplani mbetet i afishuar për një periudhë prej 45 ditësh dhe në rast se brenda këtij afati nuk paraqitet ndonjë ankesë apo pretendim i argumentuar i pronarit kufitar, ZRPP-ja harton një procesverbal në të cilin përshkruhet procedura e ndjekur dhe një kopje depozitohet në dosjen e kërkuesit për regjistrimin e pronës, duke e zëvendësuar këtë dokument me deklaratën noteriale të pronarit kufitar. Në rastet se brenda afatit prej 45 ditësh paraqitet një ankesë lidhur me kufirin e pronës për të cilin kërkohet regjistrimi, regjistruesi refuzon regjistrimin e pasurisë së paluajtshme.

Procedurat
Individi i paraqet një kërkesë regjistruesit në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Ai duhet të vërtetojë pronësinë mbi pasurinë e paluajtshme nëpërmjet aktit të fitimit të pronësisë.

Dosja e kërkuesit për regjistrimin e pasurisë duhet të mbajë: plavendosje apo genplan të pasurisë, deklaratat noteriale të pronarëve të pasurive kufitare, dokumentacion nga arkivi teknik i ndërtimit, mandatpagesën e shpenzimeve të regjistrimit ku përfshihen, tarifa e taksa.

Në rastet ku në kufi të pronës, për të cilën është paraqitur kërkesë regjistrimi, janë prona shtetërore, si rrugë, rrugica, sheshe publike, lulishte, ndërtesa publike etj., deklarata noteriale zëvendësohet nga konfirmimi zyrtar, i dhënë nga bashkia, njësia bashkiake apo komuna.

Në rastin kur pasuritë publike, kufitare me pasurinë për të cilën është paraqitur kërkesë për regjistrim janë të regjistruara në zyrën e regjistrimit në emër të një enti tjetër shtetëror, të ndryshëm nga bashkia apo komuna, konfirmimi duhet të bëhet nga titullari apo personi i autorizuar nga ky ent.

Kur deklarata e kufitarëve të pasurisë, për arsye të ndryshme, objektive, me përjashtim të pretendimeve për kufirin e pasurisë, nuk është bërë e mundur të sigurohet, ZRPP-ja afishon për publikun genplanin apo plan-vendosjen e pasurisë, për një periudhë prej 45 ditësh, në mjedise të dukshme të ZRPP-së.

Për zhvillimin e procedurës së afishimit është e nevojshme që kufiri i pasurisë, për të cilin mungon deklarata e kufitarit, të përputhet me kufirin që tregojnë dokumentet hartografike, të marra nga arkivi teknik i ndërtimit. Në rast se ky kufi nuk përputhet, nuk zhvillohet procedura e afishimit dhe nga regjistruesi refuzohet regjistrimi.

Në rast se pronari kufitar, brenda afatit prej 45 ditësh, paraqet në ZRPP ankesë apo pretendim të argumentuar e të mbështetur në dokumente ligjore për kufijtë e pasurisë, për të cilën kërkohet të bëhet regjistrimi, regjistruesi refuzon regjistrimin.

Në rast se nga pronari kufitar nuk paraqitet në ZRPP, brenda afatit prej 45 ditësh, ankesë apo pretendim për kufijtë e pasurisë, për të cilën kërkohet të bëhet regjistrimi, regjistruesi, harton, në dy kopje, një procesverbal, i cili përmban një përshkrim të procedurave të kryera. Një kopje e procesverbalit depozitohet në arkivin e ZRPP-së, ndërsa kopja tjetër administrohet në dosjen e kërkuesit të regjistrimit të pronës.

Berisha përcakton prioritetet e qeverisë gjatë mandatit të dytë

Kryeministri Berisha drejtoi dje mbledhjen e Komitetit të Planifikimit Strategjik, në të cilin u diskutua kuadri makroekonomik dhe fiskal për periudhën 2009-2011, që përkon dhe me mandatin e dytë të qeverisë. Që në fillim të fjalës së tij Berisha është shprehur i sigurt se qeveria që ai drejton do të ketë dhe një mandat të dytë qeverisës. “Kjo për faktin se duke respektuar plotësisht votën e shqiptarëve duket se "four years more" (katër vjet më shumë), do të bëhet realitet, por më mirë të mos merremi me fushatën elektorale sepse nuk është detyrë e kësaj salle, por të ndalemi tek kuadri makroekonomik dhe fiskal i vitit 2009-2011”, është shprehur Berisha. Më tej, gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë ka renditur prioritetet kryesore të qeverisë gjatë mandatit të dytë qeverisës. Katër do të jenë shtyllat kryesore ku do të bazohet programi qeveritar për katërvjeçarin e ardhshëm. Sipas kryeministrit Berisha, prioritet do të jetë arsimi, furnizimi me ujë dhe ndërtimi i ujësjellësve, infrastruktura rrugore si dhe ndërtimi i porteve. Berisha tha se në buxhetin afatmesëm synohet të përfundojë sistemi modern i rrugëve kombëtare të vendit. “Shqipëria do të ketë rrjetin rrugor më të ri dhe ndër më modernët në rajon dhe në Europë. Vitet 2009-2011 do të jenë vitet e finalizimit të këtyre projekteve, do jenë vitet në të cilët ne do të asfaltojmë së paku 6 mijë km rrugë dytësore. Së shpejti ne fillojmë punimet në 10 qarqe në 10 rrugë kryesore dytësore”, - është shprehur Berisha. Më tej ai shtoi se prioritet në këtë buxhet është ndërtimi i sa më shumë ujësjellësve në mbarë vendin dhe furnizimin e qytetarëve me ujë. “Unë do të thosha se 2009-2011 do të ketë si prioritet furnizimin e qytetarëve me ujë. Ka projekte shumë të rëndësishme një ndër të cilat është ujësjellësi nga Vau i Dejës në Fier, apo nga zona të tjera. Ne do t`i përkushtohemi shumë furnizimit pa ndërprerje me ujë të qytetarëve”, - ka bërë të ditur Berisha. Më tej shtoi se ndërtimi i rrugës Durrës Kukës shton nevojën e rritjes së kapaciteteve të porteve shqiptare, të cilat do të kthehen në ura lidhëse me vendet përtej Mesdheut. “Faktikisht korridori ndryshon gjeografinë e rajonit, rikthen portet shqiptare në portet më kryesore dhe rrit interesin e jashtëzakonshëm për to. Ne do të përpiqemi të ecim me koncesionet. Kompani të mëdha botërore kanë shprehur interes të madh për të ndërtuar porte të mëdha në Vlorë, në Durrës, në Shëngjin, Porto Romano”, - është shprehur Berisha. Ai gjithashtu shtoi se buxheti afatmesëm mundëson ndjekjen e politikave të strehimit si për popullatën rome ashtu dhe për të tjerët në nevojë. Në përfundim Berisha premtoi se qytetarët që votojnë për të, votojnë dhe për një sistem arsimor, i cili është në qendër të vëmendjes së qeverisë. Kryeministri bëri të ditur se vitin e ardhshëm do të dyfishohet buxheti për arsimin dhe do të vendoset një nivel i ri pagash për stafet pedagogjike.

10 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›