Ndryshimet Statutore, administrohen 90 % e pyetësorëve
Të hënën është parashikuar të zhvillohet një takim me sekretarët e PS-së në rrethe, ku do të dorëzohet pjesa tjetër e pyetësorëve
Formularët do të shërbejnë për të thithur mendimin e anëtarësisë për pikat ku duhet të ndryshojë statuti
Partia Socialiste ka mbyllur dje fazën e thithjes së mendimit të anëtarësisë për reformimin e statutit si dokumenti themeltar mbi të cilin organizohet dhe funksion.
Në bazë edhe të rekomandimeve të kreut të Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, degët e PS-së në rrethe kanë dorëzuar në sektorin e organizimit në selinë qendrore, thuajse pjesën e dërmuese të pyetësorëve të plotësuara nga anëtarët e asambleve socialiste në komuna dhe bashki, nëpërmjet të cilave është tentuar të thithet mendimi i tyre në lidhje me ndryshimet që duhet të pësojë statuti gjatë kongresit që pritet ti mbaj punimet në muajt të parë të vitit 2010.
Burime pranë selisë rozë kanë bërë të ditur se në selinë qendrore të PS-së në Tiranë kanë mbërritur përgjigjet e dhëna nga rreth 90 për qind e degëve të partisë, ndërsa konfirmohet se pjesa e mbetur do të dorëzohet brenda së hënës së ardhshme ku dhe është parashikuar edhe një takim me sekretarët e partisë në rrethe, posaçërisht për këtë çështje.
Pra, bëhet fjalë për pyetësorin numër 1 të shpërndarë në fillim të këtij muaj nga PSSH për të gjitha degët e saja, dhe me anë të të cilit synohet të merret mendimi i bazës së partisë për katër çështje ku dhe synohet të bëhen ndryshime si: kohën se kur duhet të bëhen zgjedhjet në organizata, mënyrën e ndërtimit të strukturave vendore, përbërjen e organeve të partisë në bashki/komunë, në rreth dhe qark, si dhe nëse duhen legalizuar ose jo fraksionet në parti.
Pyetësorët, pasi të grumbullohen të gjithë nga zyra e organizimit në PSSH-së, do t'i vihen në dispozicion grupit të punës të ngritur posaçërisht për studimin dhe hartimin e propozimeve për ndryshimet statutore që do të votohen në kongres. Megjithatë, përgjigjet e këtij pyetësori nuk përbëjnë indikatorin e vetëm, me të cilin do të matet qëndrimi i strukturave të partisë për nevojën dhe llojin e ndërhyrjes në statut.
Kjo, pasi PSSH ka shpërndarë dhe një pyetësorë të dytë, si dokument orientues, ku do të mbështet procesi i konsultimit për tërheqjen e mendimeve nga strukturat e partisë, i cili do të shërbejë në bashkëbisedimet me anëtarësinë socialiste për tërheqjen e mendimit të tyre për një rreth më të gjerë çështjesh lidhur me ndryshimet e mundshme në statutin aktual. Pyetësori i dytë është edhe më gjerë në çështjet për të cilat do të thithet mendim, pasi përbëhet nga 13 pika.
Ai nisë pyetjen nëse duhen parashikuar masa disiplinore shtese lidhur me qëndrime të individëve apo strukturave të caktuara që dalin në kundërshtim me vendimin politik të Partisë, dhe vazhdon me pyetjen tjetër po aq të rëndësishme nëse parimi një anëtar një votë duhet shtrirë edhe në zgjedhjen e strukturave dhe organeve të tjera të partisë.
Gjithashtu, në këtë pyetësor kërkohet mendim nëse duhet të ketë rregulla të përcaktuara në Statut lidhur me organizimin e funksionimin e strukturave të partisë në emigracion, a duhet të ketë norma e rregulla të sanksionuara në këtë dokument, sipas niveleve të organizimit të saj, lidhur me funksionet elektorale të strukturave dhe përgjegjësitë e tyre në çdo nivel në zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale?
Ndërmjet të tjerave në këtë pyetësor të dytë shtrohet sërish çështja e fraksioneve, ndërsa vihet si alternativë edhe përmirësimi i neneve për lirinë e mendimit ndryshe, por duke mos arritur në liberalizim të fraksioneve.
Në këtë formular shtrohet edhe pyetja nëse është e nevojshme që të ketë një drejtim më kolegjial të partisë në të gjitha nivelet e saja që nga baza deri në qendër. Ndërsa për pyetësorin e parë afati i dorëzimit të përgjigjeve ka mbaruar dje, për pyetësorin e dytë degët e PS-së duhet të depozitojnë përgjigjet brenda datës 15 Janar 2010.
Disa nga pyetjet e formularit të dytë
Cili është mendimi juaj për Statutin aktual të Partisë? Ka nevojë për rishikim tërësor të tij, në kuptimin që ai të përmbajë vetëm parimet kryesore të organizimit dhe funksionimit të partisë në nivel vendor e qendror, ndërsa rregullat, normat e procedurat e ndërtimit, të marrëdhënieve, të funksionimit të strukturave dhe institucioneve të partisë në të gjitha hollësitë të miratohen si rregullore pjesë unike e një Libri të Rregullave të PSSH, nga AK.
A ka luajtur rolin e duhur dhe a ka qenë efikas ndërtimi aktual i strukturave të partisë në nivel vendor?
A duhet të ketë rregulla të përcaktuara në Statut lidhur me organizimin e funksionimin e strukturave të partisë në emigracion?
A duhet të ketë norma e rregulla të sanksionuara në Statut, sipas niveleve të organizimit të saj, lidhur me funksionet elektorale të strukturave dhe përgjegjësitë e tyre në çdo nivel në zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale?
Çfarë efektiviteti ka sjellë zbatimi i parimit "një anëtar një votë" në zgjedhjen e drejtuesve, të zgjerohet më tej aplikimi i tij për zgjedhjen e drejtuesve dhe të përfaqësimit në nivele të tjera?
A duhet të institucionalizohet mendimi ndryshe, pra oponenca kolektive e organizuar brenda AK të PSSH dhe në Kongresin e PSSH?
Nëse jo, a mendoni se ka vend për përmirësime në nenet për lirinë e mendimit brenda PS?
A mendoni se në Statut duhen parashikuar masa disiplinore shtesë lidhur me qëndrime të individëve apo strukturave të caktuara që dalin në kundërshtim me vendimin politik të Partisë?
A ka nevojë për përcaktim të normave më të plota statutore për përsosjen e marrëdhënieve ndërmjet: Kryetarit të Partisë me Kongresin, AK të PSSH-së, Kryesinë dhe GPS-në.
Të përsosjes së drejtimit në nivelin qendror të Partisë, të përgjegjësive të strukturave dhe institucioneve drejtuese të Partisë në nivel qendror e vendor.
A ka nevojë për norma e rregulla statutore për fuqizimin e drejtimit kolegjial dhe të punës në ekip në çdo nivel organizativ të PS-së?
A ka nevojë për përcaktim të rregullave më të plota statutore për mënyrën e zgjedhjes së kandidaturave për funksione të caktuara në parti dhe në përfaqësimin në pushtetin vendor dhe qendror?