E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ali Demi”, bashkia uzurpon tokën private



Çdo mëngjes shohin në pronën e tyre një grumbull inertesh, që sipas baskisë, do të shërbejë për përmirësimin e zonës. Ata janë pronarët, por askush nuk i ka pyetur për tokën e tyre. Përkundrazi, mbi të është vendosur të bëhet një lulishte, pa i shpronësuar, e pa u kërkuar madje as leje për të vepruar mbi atë tokë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka deklaruar se nuk do të ndalojë punimet, ndonëse bashkia nuk është pronar i asaj toke ndonëse çështja është në proces gjyqësor. Pak metra më tej, në një mjedis prej 5 mijë metrash katrorë, po ndërtohen pallate madhështore, për të cilat u është dhënë leja pronarëve të tokës, por për familjen Mema, standardi ishte krejt tjetër.

Uzurpimi

Pas vitesh mundimi, ata arritën që të rifitojnë tokën e të parëve të tyre. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave vendosi që trualli t`u rikthehet pronarëve dhe më 9 shtator ata morën certifikatën e pronësisë nga Hipoteka. Në të njëjtën periudhë, arritën të fitojnë gjyqin ndaj Bashkisë së Tiranës, që pretendonte se toka i takonte bashkisë, gjyq i cili shkoi deri në Gjykatën e Lartë, që vendosi se pronarët kishin të drejtë.

“Në atë çast, menduam se gjithçka mbaroi dhe ajo që na kishte hequr pa të drejtë regjimi i Enver Hoxhës, na u kthye. Një padrejtësi e vendosur në vend”, – deklaron një prej përfaqësuesve të familjes Mema.

Por e vërteta do të ishte kahkundërt. Ndonëse Bashkia e Tiranës kishte humbur të drejtën për të menaxhuar fushën sportive, pasi të 15 mijë metra katrorët i kishin kaluar familjeve të vjetra tiranase, me një vendim të Këshillit të Rregullimit të Territorit, u vendos që në këtë tokë private do të bëhej një lulishte publike, pa u konsultuar me pronarët e vërtetë.

“Ne kemi certifikatën e pronësisë, nuk e di se çfarë duhet më shumë se kaq për të marrë të drejtën mbi pronën. Bashkia jo vetëm që e ka uzurpuar atë, por as që nuk ka kërkuar mendim nga ne. U kemi dërguar ankesa të gjitha instancave të bashkisë e nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Ndërkohë që ligji përcakton se në pronën private mund të veprohet vetëm nëse shpronësohen”, – thonë pronarët.

Si shkak i kësaj mospërfilljeje ndaj ligjeve dhe situatës kaotike që është krijuar ku të zgjedhurit manipulojnë shtetin, sipas pronarëve, një prej anëtarëve të familjes Mema ndodhet në dhomat e paraburgimit, pasi u sulmua nga firma ndërtuese. “Ne do të shkojmë në vetëgjyqësi, – deklarojnë ata. - Nuk mund të vazhdohet që të gjithë të na thonë që kemi të drejtë e nga ana tjetër të na vjedhin pronën”.

Rama: Nuk ndalojmë punimet

Por qëndrimi që ka kaluar caqet për pronarët, është qëndrimi i kryebashkiakut Rama, i cili jo vetëm që nuk ka pranuar të arrijë një marrëveshje me pronarët e ligjshëm të tokës, por u ka deklaruar atyre se “u bën nder”, duke përdorur pronën për interesat e bashkisë.

“Ne nuk do ta ndalojmë projektin, sepse kjo nuk do të sillte asnjë të mirë për komunitetin atje, që ka makth nga ajo fushë balte e plehrash dhe as për ju si pronarë, që në të gjitha rastet, nuk mund ta zhvilloni sot për sot atë territor me kurrfarë ndërtimi”, – mësohet t`u jetë shprehur kryetari i bashkisë, z. Edi Rama, duke nënkuptuar se ndonëse ata janë pronarët e tokës, është bashkia që vendos për çfarë ndodh dhe merr fitimet e zonës.

“Në këtë territor janë dy kalçeto dhe ne pronarët e fushës nuk kemi të drejtë as të hyjmë atje, e jo më të marrim qeranë. Tani shtohet edhe një lulishte dhe ne si pronarë nuk kemi asnjë të drejtë mbi të. Kjo është vjedhje e pastër”, – thonë pronarët.

Por, kryebashkiaku Rama u ka kërkuar atyre në mënyrë të drejtpërdrejtë që të mos e anulojnë projektin, ndonëse ajo është vjedhje e pronës së tyre. “Dëshiroj të mos e konsideroni si opsion anulimin e projektit, pasi kjo nuk është e mundur”, – ka deklaruar në mënyrë përfundimtare kryebashkiaku Rama për pronën që nuk i takon bashkisë.

Përballë mospërgjigjes së shtetit, pronarët kanë deklaruar se do të hedhin në gjyq bashkinë për uzurpim të pronës, në mënyrë që të mbrojnë pronën e tyre.

Somario

Familjet kanë fituar të gjitha gjyqet për çështjen e pronësisë, por ende çështja ka mbetur pezull, për shkak të veprimeve të Bashkisë së Tiranës

Universitetet

Ndarje e re e buxhetit nga MASH-i

Buxheti vjetor për 11 universitetet shtetërore në vend, duke nisur që nga 1 janari 2009, do të shpërndahet sipas një formule të re, hartuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës me konsulencë të Bankës Botërore, e cila bazohet në shumë parametra, si numrin e studentëve, kualifikimin e pedagogëve, zhvillimin e kërkimit shkencor, programet studimore etj.

Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, formula e re e shpërndarjes së buxhetit vjetor të universiteteve do të bazohet vetëm në meritat e institucioneve të arsimit të lartë, çka nënkupton faktin se vitin e ardhshëm universitetet do të konkurrojnë për investime.

Në këtë mënyrë, buxheti nuk do të ndahet më sipas një ndarjeje aritmetike, sipas të cilës merret në konsideratë vetëm numri i studentëve, por sipas kontributit të universitetit, çka pritet të nxisë rritjen e cilësisë në arsimin e lartë.

Në ligjin e arsimit të lartë parashikohet që çdo institucion që paraqet projekte të mira, do të përfitojë fonde, sipas të njëjtit parim si me pushtetin vendor, lidhur me grantet. Por parakushti në fushën e arsimit kërkon struktura të afta administrate në universitete që mundësojnë hartimin në kohë të projektit, marrjen e fondeve dhe realizimin e tyre sipas afateve, thekson MASH-i.

Part-time

Universiteti i Tiranës kërkon kuota shtesë

Universiteti i Tiranës ka kërkuar kuota shtesë për sistemin me kohë të pjesshme, fituesit e të cilit dolën dje. Burime nga ky universitet bënë me dije se rektorati i ka dërguar një kërkesë zyrtare Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës për shtimin e kuotave në pjesën më të madhe të degëve, përfshirë këtu edhe degët më të kërkuara, si Fakulteti i Drejtësisë dhe Fakulteti i Ekonomisë. Ndërkohë, burime zyrtare nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës bënë me dije se shqyrtimi i kërkesës do të bëhet gjatë ditëve në vijim e më pas, propozimi do t`i kalojë Këshillit të Ministrave, që do të miratojë ose jo propozimin.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›