E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas 2005-s, rivarrimi i Qokajt dhe Hidrit, mbyllja morale e rebelimit komunist të ’97-s

01-03-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli zhvillojnë homazhe në nderim të dëshmorëve të Atdheut/“Besnik Hidri dhe Leka Qokaj ranë për të fituar nderin dhe pavdekësinë”

Kryeministri  Berisha nderoi dje dëshmorët e Atdheut Besnik Hidri dhe Leka Qokaj, ish punonjës të Shërbimit Informativ, të rënë në krye të detyrës më 28 shkurt 1997, në Vlorë, në mbrojtje të Institucioneve shtetërore. Kryeministri bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule pranë trupave të tyre, të cilët me një ceremoni të veçantë do të përcillen më pas në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në Tiranë.
Kryeministri theksoi se i gjithë kombi shqiptar përulet me nderimin më të madh, para këtyre dëshmorëve për qëndresën, trimërinë, dhe heroizmin e tyre, që me rënien në krye të detyrës fituan nderin dhe pavdekësinë.
“I gjithë kombi shqiptar përulet me nderimin më të madh para qëndresës, trimërisë, heroizmit të dy shërbëtorëve të shquar të tij, oficerëve të Shërbimit Informativ Kombëtar, Besnik Hidrit dhe Leka Qokaj që ranë në krye të detyrës për të fituar nderin dhe pavdekësinë. Shqiptarët sot i përcjellin ata, në altarin, në varrezën e të rënëve të kombit. Me këtë akt bëhet një mbyllje morale e njërës prej skenarëve më të turpshme në historinë e këtij kombi, rebelimit komunist të vitit 1997, rebelim i cili i kushtoi vendit, jetë të shumta njerëzish, rebelim i cili solli në pushtet me dhunë ata që nuk e meritonin. Në rrafshin politik, rebelimi komunist i ’97-s u mbyll në mënyrën më dinjitoze nga qytetarët shqiptarë, të cilët bënë që ata që erdhën me dhunë të largohen me votë dhe ky ishte në dinjitetin e qytetarëve shqiptarë”, deklaroi kryeministri Berisha.
Sipas tij, në rrafshin moral, heronjtë e shtetit dhe të kombit, ata përcillen me nderimet e merituara në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Pra në tërësi, ndonjëherë vlerësimet, korrigjimet edhe mund të vonojnë, por ato nuk harrojnë. Mbetet natyrisht jetim i atyre që kryen këtë akt të shëmtuar, ndaj shërbëtorëve kaq të çmuar të kombit shqiptar. 
Më herët edhe Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli nderoi sot  dy dëshmorët e Atdheut,  Besnik Hidri dhe Lekë Qokaj, ish punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar. Kryetarja e Kuvendit vendosi kurora në emër të saj personal dhe të Kuvendit të Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli theksoi se, Besnik Hidri dhe Lekë Qokaj janë modeli i integritetit dhe ndershmërisë së mbrojtësve të shtetit.
“Janë dëshmorët e kombit, sot. Janë shërbëtorët e shtetit. Janë vetë integriteti , janë vetë ndershmëria. Janë njerëz, ndaj të cilëve u përdor kaq shumë dhunë dhe ata s’pyetën, për të ruajtur shtetin. Sigurisht  që ne sot përulemi më nderimin dhe dhimbjen më të madhe për atë që ka ndodhur dhe ndodh sa herë përdoret dhuna kundër shtetit, kundër demokracisë. Vajzat dhe fëmijët që sot janë të rritur, kanë kaluar aq dhimbje , por janë krenarë për prindërit e tyre që i vranë në mënyrë makabre. Kafshë që donin pushtetin me çdo kusht.  Pushteti s’merret me dhunë, pushteti fitohet me votë dhe shteti qëndron.  Ne besojmë tek vota, ne besojmë tek demokracia. Asnjeri s’duhet të jetë për dhunën, kurrë, asnjëherë në asnjë rast. S’ka asnjë arsye që mund të përligjë dhunën. Ne s’do t’ia shpërblejmë kurrë, dhe fëmijëve të  tyre, sakrificën që kanë bërë ata dy djem aq të rinj, por me një zemër, me një shpirt dhe me një sens detyrimi dhe përgjegjësie aq të madhe, sa Besnik Hidri dhe Lekë Qokaj”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
Besnik Hidri dhe Leka Qokaj janë dekoruar (pas vdekjes) nga Presidenti i Republikës me “Medaljen e Shqiponjës së Arte” me motivacionin: “Në shenjë nderimi dhe vlerësimi të lartë për veprimtarinë dhe kontributin e vyer në shërbim të shtetit, deri në aktin sublim, dhënien e jetës në krye të detyrës”. Në vitin 2006 janë shpallur Dëshmorë të Atdheut me vendim të Komisionit të Posaçëm Qeveritar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›