E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendorët u frikësohen aftësive tona profesionale dhe intelektuale

“Bashkatdhetarët dhe Kosova për njëri-tjetrin”, ka qenë tema e radhës në Tribunën e organizuar nga Lëvizja “Vetëvendosje”, në të cilën para pjesëmarrësve ka folur biznesmeni nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Florin Krasniqi. Gjatë fjalës së tij, Krasniqi ka renditur pengesat që krijojnë udhëheqësit vendorë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi për dhënien e kontributit profesional dhe intelektual nga ana e bashkatdhetarëve në diasporë, ndërkaq ka paralajmëruar se kontributi financiar çdo ditë do të zvogëlohet, për shkak të abuzimit nga pushteti.

Krasniqi ka thënë se ai tani ka rrugë të përbashkët me Lëvizjen “Vetëvendosje”, me qëllimin e vetëm për, siç është shprehur ai, çlirimin e Kosovës nga bandat vendore dhe ndërkombëtare.

“Unë mendoj që për momentin Kosova është e okupuar nga bandat kriminale vendore dhe ndërkombëtare. Pa një organizim të mirëfilltë të brendshëm, pa një ndihmë shumë të madhe të diasporës, pa një ndihmë serioze të bashkësisë ndërkombëtare, Kosova nuk mund të çlirohet prej këtyre bandave”, ka thënë ai.

Duke folur për kontributin e diasporës, Krasniqi ka thënë se ai dhe bashkatdhetarët tjerë janë të kënaqur me avokimin që bëhet për Kosovën, duke nisur nga fëmijët në shkolla e deri te biznesmenët.

Por kontributi intelektual dhe profesional në Kosovë, sipas tij, ka hasur në bllokim nga ana e vendorëve.

“Kontributin intelektual dhe profesional ne nuk mund ta japim, sepse ne bllokohemi prej vendorëve. Jo prej juve, por në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, vendorët i frikësohen këtij kontributi, i frikësohen kontributit të diasporës, sepse kanë frikë në aftësitë tona profesionale dhe intelektuale”, ka thënë biznismeni i njohur nga SHBA-ja.

Sipas Krasniqit, ka me dhjetëra e qindra bashkatdhetarë që kanë kapacitete profesionale dhe intelektuale.

Krasniqi ka thënë se vetëm bashkatdhetarët në Zvicër kanë kapacitete profesionale për ndërtimin e një qeverie komplet, mirëpo asnjë prej tyre nuk shihet askund, asnjë prej tyre nuk është ambasadorë apo përfaqësues i Kosovës diku.

Ndërkaq ai kontribut i bashkatdhetarëve që ka qenë më i madhi deri tani për shqiptarët, është ai financiar, dhe tani sipas Krasniqit, i cili ka qenë një mbështetës i madh i luftës së UÇK-së, ky kontribut do të zvogëlohet.

“Ne nuk duam të dërgojmë para, sepse ne mendojmë se këto pare edhe kur paguhen si kontribute, tatime, abuzohen. Nganjëherë krijohet bindja se edhe nga familjarët tonë abuzohen. Kështu që jemi shumë më rehat kur sjellim kontribute materiale. Kontributet financiare po shkojnë duke rënë çdo ditë. Ju për çdo vit do të shihni se bashkatdhetarët do të japin më pak kontribut”, është shprehur ai.

Para të pranishmëve ka folur edhe përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, i cili e ka çmuar lart kontributin e bashkatdhetarëve, i cili sipas tij, ka zbutur dhimbjen që u ka shkaktuar shteti qytetarëve.

Gjatë kësaj tribune, Qeveria e Kosovës ishte në objektiv të kritikave të folësve, të cilët nuk kanë hezituar ta quajnë ‘kalë të ngordhur, i cili megjithëse i ngordhur, vazhdon ta hajë pasurinë e Kosovës’./kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›