E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendosen raportet diplomatike me Malin e Zi

Prishtinë, 16 janar, NOA Mali i Zi dhe
Kosova vendosën mes tyre marrëdhëniet zyrtare diplomatike duke shkëmbyer letrat
e marrëveshjes përkatëse. Një fakt i tillë u bë me dijeni nga ministri i Jashtëm
i Kosovës, Skënder Hyseni, i cili ka vlerësuar se vendosja e këtyre marrëdhënieve
ka ardhur pas një komunikimi zyrtar me homologun e tij, Milan Roçen dhe ftesës
që atij i është bërë nga Republika e Kosovës.

Ndërsa shton se në kohën e duhur
do të shkëmbehen edhe ambasadorët e stafi tjetër diplomatik mes dy vendeve. Qeveria
e Malit të Zi tha se marrëdhëniet diplomatike me Prishtinën janë vendosur në
pajtim me vendimin zyrtar të 9 tetorit, 2008, për njohjen e Kosovës.

Ndër të tjera, në letrën e tij, Roçen ka
theksuar se e ndan mendimin e homologut të tij se marrëdhëniet ndërmjet Malit
të Zi dhe Kosovës kanë perspektivë të mirë. Ai ka theksuar se Mali i Zi e
vlerëson lart atë që Hyseni e ka theksuar në letrën e tij se autoritetet e
Kosovës kanë mirëkuptim për nevojat e komunitetit malazez në Kosovë.

Në vitin 2008, njohja e Kosovës nga Podgorica
bëri që Beogradi ta dëbojë ambasadorin malazez, por nëntorin e kaluar, ambasadori
i Malit të Zi u kthye në Beograd.

n.e/NOA

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›