Vendoset në fund
Humbja e Prishtinës në Rahovec nga Ballkani dhe fitorja e Hysit në Gjakovë ndaj Vëllaznimit e ka hapur përfundimisht kampionatin.
Bardhekaltrit, të cilët kohë më parë udhëhiqnin tabelën me 9 pikë, aktualisht kanë vetëm një pikë më shumë se bardhezinjtë, kështu që kampioni i Kosovës nuk do të dihet deri në fund të kampionatit.
E njëjta gjë vlen edhe për pjesën e poshtme të tabelës. Me fitoren ndaj Besës, Ferizaj i ka shtuar gjasat për mbijetesë, pasi që tash gjendet vetëm dy pikë afër dy skuadrave tjera më të rrezikuara, Vëllaznimi dhe Flamurtari.
Ish trajneri i disa skuadrave kosovare, Hysni Maxhuni, mendon se Prishtina dhe Hysi kanë gjasa të njëjta për titull të kampionit. “Prishtina me këtë humbje i dha rast Hysit që të futet në luftë për titull. Hysi ka gjasa reale dhe mund të them se tash mundësitë janë 50 me 50 për qind”, theksoi ai për Express.
Sipas trajnerit mitrovicas, Prishtinën e ka kapluar nervozizmi dhe te kjo skuadër sheh jodisiplinë, pasi lojtarët ndëshkohen me kartonë në këtë periudhë vendimtare.
Kurse Hysi duket ekip më stabil, pasi ka shënuar 5 fitore radhazi. Por, ai shton se skuadra llapjane duhet ta mbajë këtë ritëm deri në fund. “Mendoj se mund të vendosë ndeshja e fundit, por mund të ndodhë edhe më herët që të përcaktohet kampioni”, tha ai.
Ndërkaq, për pjesën e poshtme të tabelës, Maxhuni mendon se janë shumë skuadra që do të luftojnë për mbijetesë. “Janë shumë skuadra që luftojnë për mbijetesë, pozita e tyre ndërron çdo javë në renditje. Ferizaj me fitoren ndaj Besës është afruar. Kështu që nuk do të dihet deri në fund se cilat skuadra do të bien nga Superliga”, tha Maxhuni.
Kurse trajneri i njohur kosovar, Afrim Tovërlani vlerëson se ngushtimi i distancës prej 9 pikëve në 1 e favorizon Hysin. Por, edhe ai mendon se kampioni mund të vendoset në fund të sezonit.
“Do të thosha se Hysi e ka përparësinë psikologjike pasi që është afruar nga 9 në 1 pikë. Mund të ndodhë që ndeshja e fundit ta përcaktojë kampionin, por nuk e përjashtoj mundësinë që kjo të ndodhë edhe më herët, nëse ndonjëri ekip lëshon pikë”, theksoi trajneri prishtinas.
Në luftën për mbijetesë, ‘Toki’ i sheh tri skuadrat e fundit; Ferizaj, Vëllaznimi e Flamurtari, këto dy të fundit me gjasa më të mira për të luajtur në barazh.
Për Fahredin Durakun, ky është një fakt i mirë që kampionati është hapur dhe është bërë më interesant në pjesën përfundimtare të tij.
“Prishtina ka treguar dobësi pasi kishte një avantazh të madh të pikëve. Mirëpo, ky ekip është gëzuar herët dhe nga kjo ka përfituar Hysi, i cili ka shfaqur karakter dhe besim duke mos u dorëzuar. E kundërta ka ndodhur me Prishtinën, e cila ka rënë teposhtë. Do të jetë shumë interesant, them se kampioni do të vendoset në fund”, mendon trajneri mitrovicas.
Si skuadrat më të rrezikuara për të rënë nga Superliga, ai i sheh Ferizajn, Flamurtarin e Vëllaznimin.
Deri në përfundim të sezonit kanë mbetur edhe 7 xhiro. Ekzistojnë mundësitë që Prishtina dhe Hysi të lëshojnë pikë në xhirot e ardhshme, por njohësit e futbollit kosovar mendojnë se gjasat janë reale që titulli i kampionit të vendoset në xhiron e fundit, kur ato do të luajnë në kryeqytet.
Edhe dy skuadrat që do të bien nga Raiffeisen Superliga me gjasë do të dihen vetëm në xhiron e fundit. Ferizaj shihet ‘favorit’ në këtë aspekt, por aspak më të sigurt nuk janë Vëllaznimi e Flamurtari.
Orari i Prishtinës
Prishtina – Vëllaznimi
Ferizaj – Prishtina
Prishtina – KEK-u
Trepça – Prishtina
Prishtina – Liria
Besa – Prishtina
Prishtina – Hysi
Orari i Hysit
Hysi – Ferizaj
KEK-u – Hysi
Hysi – Trepça
Liria – Hysi
Hysi – Besa
Hysi – Trepça ‘89
Prishtina – Hysi