Grindje mes adoleshentëve, vritet 17-vjeçari, 3 plagosen

KUKËS/ I riu A.H. ka mbetur i vdekur pasi është goditur me thikë në zemër nga një bashkëmoshatar i vet
KUKËS - Ka mbetur i vdekur një 17-vjeçar mbrëmjen e djeshme në qytetin e Kukësit, ndërkohë që është vrarë me një goditje thike në zemër nga një tjetër bashkëmoshatar.
Ngjarja ndodhi në orët e vona, ndërkohë që nga ana e policisë u deklarua se gjithçka ka nisur për motive banale, të cilat pas shumë grindjesh janë finalizuar me vrasjen e të riut.
Tre adoleshentë të tjerë kanë mbetur të plagosur, ndërkohë që në pyetje janë marrë rreth 20 gjimnazistë të cilët duhet të japin sqarime lidhur me ngjarjen e ndodhur.
Sherri
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se dy adoleshentët B.Gj. dhe A.H. kishin kohë që kishin konflikte me njëri-tjetrin. Sherri ka nisur për motive banale, por pasi janë grindur ca kohë shokët kanë hyrë për t'i pajtuar dhe më në fund ata kanë arritur t'i japin dorën njëri-tjetrit.
Por, vetëm disa ditë më pas dy të rinjtë kanë rifilluar sherrin dhe janë gjetur nga forcat e policisë së Kukësit duke u zënë pranë një fushe futbolli. Uniformat blu kanë ndërhyrë për t'i ndarë dy adoleshentët dhe më pas janë larguar. Por 17-vjeçari B.Gj. pasi është larguar nga vendi ku po grindej me shokun e tij, ka shkuar në shtëpi dhe ka marrë një thikë.
Më pas është rikthyer dhe e ka gjetur 17-vjeçarin A.H. mes një grupi adoleshentësh. Duket se ai nuk ka pritur, por e ka qëlluar menjëherë të riun, duke i shkaktuar një plagë të madhe në zemër dhe duke bërë që i riu të ndërrojë jetë menjëherë. Pas kësaj shokët e tij kanë ndërhyrë për ta larguar, çka ka bërë që edhe tre adoleshentë të tjerë të mbeten të plagosur dhe të marrin mjekim në spital.
Hetimi
Policia e Kukësit ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, sapo është marrë njoftimi për ngjarjen e ndodhur. Trupi i 17-vjeçarit është çuar në morg, ndërkohë që tre adoleshentët e tjerë kanë marrë mjekim në spital dhe më pas janë dërguar në polici ku janë marrë në pyetje për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Mësohet se janë rreth 20 adoleshentë të cilët janë shoqëruar për në komisariatin e policisë së Kukësit dhe që janë marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e ndodhur.
Dy adoleshentët që u përfshinë në sherrin që çoi në vrasjen e njërit prej tyre mësohet se ishin nxënës të vitit të tretë të shkollës së mesme "Havzi Nela" të qytetit të Kukësit. Mësohet se ndaj adoleshentit 17-vjeçar është ngritur akuza e "vrasjes me dashje", "plagosjes", si dhe "mbajtjes së armëve të ftohta".