Kapet me drogë emigrantja me të birin 16 vjeç
GJIROKASTER- Kapet emigrantja shqiptare me marijuanë në kufirin shqiptaro-grek. Ermira Beqiraj, 38 vjeçe, nga Elbasani, është arrestuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ajo ndodhej në shoqërinë e të birit 16-vjeçar, kur u prangos dje në Kakavijë, teksa tentoi të kalonte për në Greqi 25 kg marijuanë. E gjithë sasia narkotike është zbuluar në momentin e fundit nga ana e kontrollorëve shqiptarë, në dyert anësore të automjetit që ajo kishte në përdorim nga bashkëjetuesi i saj grek, me qëndrim në Volos të Greqisë. 38-vjeçarja me banim në Volos të Greqisë, pranoi se marijuanën e kishte blerë dy ditë më parë në Elbasan dhe kishte destinacion tregun grek. Sipas dëshmisë së dhënë, ajo tentoi të përfitonte një sasi eurosh, për të përballuar ilaçet dhe një operacion të vështirë të djalit tjetër të saj që e ka në Greqi. Policia e la të lirë djalin e saj. p.n