Debia te CEZ, fëmijëve në kopshtet e Fierit u hiqet ushqimi

Bashkia e Fierit
FIER- Hiqet ushqimi në kopshtet publike të Fierit, ndërsa kreu i Bashkisë i kërkoi qeverisë të ndërhyjë për zhbllokimin e situatës, duke e konsideruar këtë si një absurd ligjor. Rreth 950 fëmijë që frekuentojnë shtatë kopshte publike me ushqim në Fier, nuk do të kenë më mundësinë të ushqehen në kopsht në këtë sezon të ri 2012-2013. Shkaku sipas drejtoreshës së Qendrës Ekonomike Arsimore në Bashkinë Fier, Mimoza Moci, është bllokimi i grantit qeveritar. Në një deklaratë për shtyp të dhënë dje, Moci deklaroi se gjendja e krijuar është e vështirë dhe lidhet me kalimin e një fondi prej 87 milionë lekësh në favor të kompanisë CEZ, shumë e cila i është marrë Bashkisë Fier, si aksionere në sh.a. Ujësjellës. Kjo e fundit i detyrohet ndër vite kompanisë CEZ miliona lekë të pashlyera, dhe për këtë duhet të paguajnë vogëlushët fierakë. Nisur nga ky fakt, Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit pranë Ministrisë së Financave ka autorizuar degët e thesarit në rrethe, që të na bllokojë çdo fond që akordohej për kopshtet publike. Në këtë mënyrë, që nga dita e hënë nuk do të ketë më shërbim mense në kopshte. Fëmijët do të rrinë aty me të njëjtin orar, pra nga ora 08:00-16:00, por ushqimin do të jenë të detyruar ta sjellin nga shtëpia, u shpreh Moci. Kryebashkiaku Baftjar Zeqaj e ka quajtur absurd këtë veprim të Ministrisë së Financave. Ai tha se nuk kanë pse të paguajnë fëmijët për një veprim bllokues të Ministrisë së Financave. 87 milionë lekë të rinj, debi e Ujësjellësit, kanë sjellë bllokimin e ndërhyrjeve në godinat shkollore, restaurimin e kopshteve e çerdheve, si dhe mospagimin e administratës së Bashkisë për dy muaj. m.r