E Shtunë, 31 Tetor 2026

Venecia: Procedurë të qartë për votat e hedhura gabim

Duke e cilësuar si të drejtë rinumërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara dhe përfshirjen e tyre në rezultatin përfundimtar në zgjedhjet e 8 majit, Komisioni i Venecias vlerëson se “institucionet në Shqipëri nuk gabuan kur vendosën t’i përfshijnë këto vota në rezultat dhe rasti  i Shqipërisë meriton të  shënohet si një rast pozitiv i respektimit të vullnetit të zgjedhësve”.

Në opinionin për vendin tonë, miratuar sot në sesionin e vet të 89-të, Komisioni i Venecias sugjeron që Kodi Zgjedhor të ndryshohet në mënyrë që vendimet e KQZ-së mbi tabelën e shpalljes së rezultateve të mund të apelohen përpara një organi juridik në të njëjtën mënyrë si të gjitha vendimet e tjera të KQZ-së.

Një tjetër rekomandim ka të bëjë me ndryshimin e përbërjes aktuale të administratës zgjedhore të bazuar në një balancë ndërmjet dy partive politike kryesore, duke e zëvendësuar me një administratë që përfshin elementë jo partiakë dhe të paanshëm.

Në seancën e sotme morën pjesë Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, së bashku me dy bashkëkryetarët e komisionit ad hoc për reformën zgjedhore, deputetët Ilir Rusmajli dhe Damian Gjiknuri. Zyra e shtypit e Parlamentit bën të ditur se  kryeparlamentarja vlerësoi mbështetjen që Komisioni i Venecias i  ka dhënë Shqipërisë gjatë këtyre 20 viteve.

Ndërkohë, deputeti socialist Damian Gjiknuri deklaroi se palët u angazhuan që rekomandimet e Venecias të zbatohen. “Ne kemi rënë dakord që t’i shqyrtojmë, të gjejmë mundësitë ligjore për t’i zbatuar këto rekomandime dhe me ç’u dëgjua nga të dyja palët, maxhoranca mori angazhim. Puna konkrete do të tregojë sa real është ky angazhim”, tha Gjiknuri.
/Start/E.B/

                                                                                             2011-12-17 21:00
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›