Venezuela mbyll konsullatën e SHBA në Majami

Qeveria e Venezuelës ka deklaruar se do të mbyllë konsullatën e saj në Majami të Shteteve të Bashkuara, pasi personeli i saj është në rrezik.
Konsullja e Venezuelës në Majami, Livia Akosta Noguera, ishte dëbuar më herët nga Shtetet e Bashkuara dhe ishte shpallur person i padëshiruar.
Autoritetet e Shteteve të Bashkuara kanë refuzuar të japin detaje apo shkaqe rreth këtij dëbimi.
Gazeta amerikane, The Miami Herlad, ka raportuar akuza se Noguera kishte diskutuar për sulme të mundshme kompjuterike në tokën amerikane.
Qeveria e Venezuelës, në një deklaratë, ka thënë se organizatat “kriminale dhe terroriste”, me seli në Floridë, e kanë kërcënuar personelin e konsullatës që në momementin kur dëbimi i zonjës Noguera ishte bërë publik. Më tej thuhet se konsullata mbetet e mbyllur “deri në njoftimin tjetër”.
Në Majami gjendet një komunitet i madh i emigrantëve nga Venezuela. Besohet se shumica prej tyre janë kritikë ndaj presidentit të Venezuelës, Hugo Çavez.