E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tedi Papavrami në Tiranë



Petrika GROSI
Të dielën në mbrëmje ka mbërritur pas një udhëtimi nga Franca, në Tiranë, violinisti Tedi Papavrami. Kjo ardhje e artistit shqiptar nuk është rastësore. Mësojmë se në datën 9 maj, Papavrami do të japë një koncert në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në kryeqytet, i shoqëruar nga orkestra simfonike e TOB-it, nën drejtimin e dirigjentit grek Alkis Batlas. Koncerti do të mbahet nën titullin “Udhëtim muzikor nëpër Europë” dhe do të nisë me orkestrën, e cila interpreton himnin e Shqipërisë dhe të Europës së Bashkuar. Sa i takon programit të koncertit, Tedi Papavrami do të luajë pjesë të ndryshme për violinë dhe orkestër ose vetëm për violinë të kompozitorëve Beethoven, Paganini, Chausoon, Dvorak, Sarasate etj. Së fundmi, pas sprovës me përkthimin e Kadaresë në frëngjisht, Papavrami është shfaqur për publikun shqiptar edhe si protagonist në filmin e regjisorit Artan Minarolli, “Kronikë provinciale”, premiera e të cilit u shfaq para pak kohësh në kinemanë e qendrës “Cristal”. Violinisti i shquar interpretonte në rolin e djalit të dashuruar përkrah artistes të njohur kosovare, Arta Dobroshi, e cila gjithashtu njihet sidomos, për suksesin te filmi “Heshtja e Lornës”. Detaje të tjera mbi ardhjen e Tedi Papavramit në Shqipëri dhe koncertin e tij më të fundit do t’i bëjmë të ditura gjatë ditëve në vijim, pasi deri tani kontakti me artistin ka qenë i pamundur.

5 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›