Gjermanet kunder kryeministrit italian

Pas intervistës së kryeministrit italian për gjermanen “Der Spigel” ku i kërkonte Gjermanisë të ishte më fleksibël në qëndrimet me vendet në vështirësi të Eurozonës, kanë shpërthyer reagimet nga parlamentarët e Merkel. Deklaratat e Mario Montit se i kërkonte Gjermanisë vetëm mbështjetje morale dhe jo financiare, gjermanët i kanë konsideruar antidemokratike. Mesazhet e Montit kanë shqetësuar edhe ministrin e Jashtëm gjerman Guido Westerwelle. Kemi nevojë për një fuqizim dhe jo një dobësim, të një legjitimiteti demokratik në Europë, ka deklaruar ministri në një debat të hapur me kryeministrin italian. Në intervistën e tij për “Der Spiegel”, Monti deklaronte se nga momenti që problemet e Eurozonës do të marrin zgjidhje të menjëhershme, qeveritë duhet të kenë më shumë hapësira për manovrime se sa parlamentet, përndryshe do të shkohet në një disintegrim të Europës. Por deputetët gjermanë nuk e konsiderojnë kështu, kreu i grupit parlamentar të bllokut konservator të Angela Merkel është shprehur se të drejtat parlamentare nuk mund të eleminohen me një fuqizim të institucioneve ekzekutive europiane. Ndërkohë që ministri i jashtëm Vestervelle e ka quajtur të rrezikshme për unitetin europian tonin e ashpër të debatit mbi krizën e borxheve. Përpjekjet për të ushqyer rëndësinë e vet në atdhe nuk mund të jenë forca drejtuese e iniciativave në asnjë vend të Europës dhe as në Gjermani. Situata në Europë është shumë e rëndë dhe ka shumë gjëra në lojë ka thënë kreu i diplomacisë gjermane.