PS nuk voton imunitetet. Berisha kërkon referendum popullor
Tiranë- Partia Socialiste nuk ka aprovuar projektligjin e që do t`i hapte rrugë heqjes së imunitetit, ashtu siç pritej, duke bërë që të dështojë seanca plenare maratonë.
Deputetët e opozitës deklaruan votën e tyre kundër, prandaj drafti nuk kaloi dot në parlament. Ndërsa kryeministri Berisha pas debateve e replikave deklaroi se do ta çojë çështjen në referendum popullor.
Besimi im i palëkundur është tek qytetarët e këtij vendi, socialistët e thjeshtë, demokratët e përfaqësuesit e LSI, të gjithë do votojnë së bashku heqjen e murit të turpit të korrupsionit. Kjo seancë finalizohet me zotimin tim solemn se do ecim në mënyrë të pandalshme në referendumin popullor drejt heqjes së imunitetit.”- tha ai.
I menjëhershëm ka qënë reagimi në Twitter i kreut të opozitës, pas dështimit të seancës dhe paralajmërimit të kryeministrit Berisha se do të mbajë një referendum popullor për heqjen e imunitetit.
Rama ka deklaruar se nëse kryeministri do të bëjë refendum, atëherë le ta mbajë për të gjithë paketën e ndryshimeve.
Perderisa për imunitetin kemi rënë dakord e për ndryshimet e tjera Saliu fshihet, le ti ballafaqojmë hapur me popullin vizionet e argumentat! Kështu le tua lëmë shqiptarëve ta ndajnë a duhet ndryshuar në Kushtetutë vetëm pika e imunitetit apo edhe propozimet e tjera të opozitës! ka deklaruar Rama.
Si thua Sali? Nëse ke kurajo jo për t’u tallur me popullin, po për t’u ballafaquar me opozitën përpara popullit, eja bëjme referendumin ka shtuar më tej ai.
Kuvendi i Republikës zhvilloi sot seancën për votimin e draftit për heqjen e imuniteteve, dhe ashtu siç pritej ka patur debate të ashpra mes dy kaheve politike.
Kryeministri Sali Berisha ka thënë se qëllimi i opozitës është të bllokojmë marrjen e statusit kandidat, dhe kjo sipas tij do të sjellë një dëm të madh për vendin dhe qytetarët.
Më tej kreu i qeverisë ka thënë se gjatë votimit në 12 Korrik opozita ka qenë pro datës 6 Gusht për të votuar heqjen e imuniteteve, duke vijuar me deklartën se po zbatohen ndryshimet kushtetuese që kërkoi PS- ja na vitin 2008.
Nuk keni vullnet të hetoheni, kjo është sa i përket marrëveshjes dhe kërkesës. Ky parlament ka një regjistrim të plotë zanor, më 12 korrik u votua se do të jetë data 6 gusht që do votohen amandamentet e Kushtetutës. Nuk duhet ta shndërrojmë këtë seancë në një seancë mashtrimi, ju bllokoni sot për të bllokuar statusin për të tretën herë. Përcaktoni si kusht që ne të pranojmë që ju të kapni shtetin ose të bllokoni institucionet kushtetuese, Presidentin e morën ata kishin votat. Të kërkosh që kryetari i gjykatës Kushtetuese, gjykatës së lartë, prokurori i përgjithshëm, kreu i KLD, dhe Presidenti të votohen me 3/5 ky është model absurd. Ju doni sundimin e pakicës, se Kryetari juaj ju çon nga disfata në disfatë unë nuk mund të bëhem lider i juaji dhe atë s`mund ta bëj lider, ai nuk di c`është fitorja. Ne vimë sot këtu pas një debati 10 vjecar, vimë këtu pasi kemi pranuar ato që ju keni sugjeruar dhe propozuar,- tha Berisha.
Më tej shefi i ekzekutivit i ka kujtuar deputetit socialist Fatmir Xafaj që kur ka qenë ministër i Drejtësisë në vitin 2004 ka nënshkruar një marrveshje me Këshillin e Evropës për heqjen e imunitetit, dhe sipas tij kjo marëveshje duhet respektuar.
Zoti Xhafa ju tha shqiptarëve se nuk ka qenë imuniteti dhe heqja e tij se nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes së nëntorit midis forcave politike. Keni qenë Ministër i Drejtësisë kur ju keni pranuar dhe firmosur me KiE marrëveshjen në 2004 se do të hiqni imunitetet dhe ajo marrëveshje është detyruese aq sa është dhe anëtarësimi në KiE. - u shpreh kryeministri.
Në përfundim Berisha i ka bërë thirrje opozitës ta votojë heqjen e imunitetit, pasi kjo përveçse dëmton qeverinë dëmton akoma më shumë qytetarët, dhe sipas tij ata do ta japin verdiktin e tyre në zgjedhjet elektorale.
Para fjalës së kryeministrit, foli deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, i cili në deklaratën e tij ka thënë se opozita ka qenë kundër datës 6 Gusht, por ishte mazhoranca ajo që e votoi në Konferencën e Kryetarëve.
“Është paraqitur data 6 gusht, a thua se kjo është një datë e nxjerrë nga kalendari Maja që nëse nuk respektohet, do të shënohet fundi i botës. Por kryeministri thotë se Data 6 është detyrim ligjor i amendamentit që ka sjellë PS për procedurën e ndryshimeve kushtetuese. Si është e vërteta ? Logjika e rregullores është e qartë. Data e votimit në seancë lidhet me kalendarin e punës së komisionit, kushtëzohet me kohën kur ky komision miraton raportin. Pra data e votimit rrjedh nga ecuria e shqyrtimit dhe vendoset pas këtij procesi si hapi fundor i saj. Çfarë bëtë ju? Paravendosët datën e votimit dhe mbi atë kushtëzuat vet procesin. Logjikë tërësisht e mbrapshtë! Sepse për ju kishte më shumë rëndësi data ultimatum se sa vet procesi dhe konsensusi me opozitën. Por Kryeministri, pa e prishur terezinë thotë: Data 6 gusht është e përcaktuar me ujdi të plotë nga i gjithë spektri parlamentar i vendit, është datë e përcaktuar me konsensus në datën 12 korrik, në seancën e parlamentit.E pason kryetarja e Kuvendit dhe sipas saj: 6 Gushti është një datë e caktuar në Konferencën e Kryetarëve dhe në të njëjtën kohë i është bërë e ditur seancës plenare të datës 12 Korrik, të cilën asnjë deputet nga opozita nuk e kundërshtoi. Gjithshka e pavërtetë! Vendimi për datën 6 ka qenë një vendim arbitrar, i njëanshëm dhe i paravendosur”,- tha Xhafa.
Më tej ai i ka drejtuar një pyetje kryeministrit duke i thënë se a do të ishte i gatshëm të dorëhiqej nëse ndryshimet kushtetuese bëhen dhe vendi nuk e merr statusin kandidat për antarsimin në BE.
Që projektligji të miratohej nevojiteshin 3/5 e votave, pra edhe ato të opozitës, por procesi i sotëm ashtu siç pritej ështoi pasi Partia Socialiste nuk pranoi ta votonte atë.
Siç ishe paralajmëruar prej ditësh Partisa Socialiste kishte thënë prerazi në deklaratat e saj se nuk do ta votojnë reformën e imuniteteve ditën e sotme pasi sipas tyre nuk është as një datë konsensuale dhe as një afat kohor i vendosur nga Brukseli.
/Kliti Topalli/IDEA/