E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, energjetika probleme të mëdha nga bora

Prishtinë -Reshjet e mëdha të dëborës në Kosovës, kanë shkaktuar prishje në rrjetin shpërndarës të energjisë elektrike. Gjatë natës së shkuar ka pasur defekte për 47 dalje 10 kilovoltëshe (10 kV) anekënd Kosovës, të cilat kanë vështirësuar furnizimin me energji elektrike. Rajonet më të goditura janë ato të Mitrovicës, Pejës dhe Prizrenit.

Ekipet e mirëmbajtjes së Korporatës Energjetike të Kosovës, po vijojnë punën në terren, për riparuar problemet e shfaqura. “Numri i prishjeve ishte shumë më i madh, por ekipet e mirëmbajtjes, kanë arritur t'i sanojnë rreth 25 dalje, duke ua kthyer tensionin mbi 25 mijë konsumatorëve”- thuhet në një njoftim të KEK-ut.

Ndryshe, furnizimi me energji elektrike në zonat ku nuk ka prishje është mjaft i kënaqshëm, pasi KEK po operon me 4 njësi gjeneruese, përkatësisht B1 dhe B2 të TC Kosova B, A3 dhe A5 të TC Kosova A, si dhe HC Ujmani, të cilat prodhojnë afro 800 megavatë/orë energji elektrike, ndërsa importi shkon deri në 122 megavatë/orë në kohën e pikut.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›