E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veprimtari në Skarbek të Brukselit

13-09-2012 / Nga Eden Babani

Për nder të Njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë

Më 22 të muajit në vijim, komuna e Skarbekut, njëra ndër më të mëdhatë e 19 simotrave të kryeqytetit belg, do të organizojë një sërë veprimtarish për nder të Njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Shtatori i këtij viti përkon, gjithashtu, edhe me pesëdhjetëvjetorin e ardhjes masive të emigracionit shqiptar antikomunist dhe të vendosjes së tij në Bruksel, fill pas valës së parë në vitin 1956.
Gjysmë shekulli përpara, në fillim të viteve ’60, Skarbeku u bë mikpritësi i nacionalistëve shqiptare, të cilët u detyruan të linin vendlindjen familjarisht, që t’i shpëtonin terrorit komunist të Enver Hoxhës. Aty u strehua dhe jetoi më shumë se tre dhjetëvjeçarë Muharrem Bajraktari, një ndër figurat më të spikatura të luftës kundër regjimit komunist të Tiranës, deri sa i mbylli sytë në janar të vitit 1989, në prag të rënies së Murit të Berlinit, që shënoi fundin e Lindjes Komuniste. Bash në zemër të Skarbekut është vendosur edhe përmendorja e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut.
Është rasti të përmend se administratat bashkiake të komunës, pavarësisht ngjyrimeve politike që kanë përfaqësuar në periudha kohe të ndryshme, i kanë mirëpritur veprimtaritë e komunitetit shqiptar të Brukselit. Me mbështetjen e Burgmestrit aktual, zotit Bernard Clerfayt aty u mbajt në fillim të marsit të shkuar edhe përkujtimorja kushtuar Muharrem Bajraktarit. Kohët e fundit, Bashkia e Skarbekut ka vënë në dispozicion të të rinjve me prejardhje nga Shqipëria, nga Kosova dhe nga troje të tjera etnike shqiptare një nga mjediset sportive më të mira të Brukselit, në afërsi të Parkut të njohur Zhozafat (Josaphat), i cili mbulon më tepër se 20 ha hapësirë të gjelbëruar, ku janë ekspozuar edhe shumë monumente të artit të skulpturës. Mjedisi sportiv, me të gjitha anekset përkatëse, prej 22 shtatorit të ardhshëm, dita e përurimit, do të quhet FK Kosova (Klubi i Futbollit – Kosova).
Ideja e përgatitjes së veprimtarive për nder të Njëqindvjetorit të Pavarësisë, ishte e një grupi nismëtarësh bashkatdhetarë, prej të cilëve përmend vëllezërit Gjanaj, Ramadan e Sulejman, Burim Demirin dhe Vladimir Gjonin. Zoti Clerfayt, Burgmestër (Kryetar i Bashkisë) i Skarbekut, dhe stafi i tij e mirëpritën nismën dhe premtuan mbështetjen e tyre pa rezerva. Tashmë veprimtaria është marrë në patronazh nga ana e Komunës, prej fillimit deri në fund. Të ftuarit nga Shqipëria, nga Kosova dhe nga viset me shumicë shqiptare të Maqedonisë, do të jenë miq të Burgmestrit, qysh në pritje, deri në përcjellje. Të shtunën më 22 shtator, ndërtesa e administratës komunale (L’ Hôtel Communale de Schaerbeek) do të jetë gjithë ditën në dispozicion të komunitetit shqiptar. Pritet që pjesëmarrja në veprimtari të jetë e madhe, më shumë se 500 bashkatdhetarë, ndoshta 700, pasi edhe interesimi është tepër i madh, jo vetëm për shqiptarët me banim në Bruksel, por edhe për ata të qyteteve të tjera: që nga Liezhi, Namyri e Huji, deri në Gent, Sint-Niclaas e Anversë.
Në mënyrë që veprimtaria të mos merrte ngjyrime politike, zoti Clerfayt ka qenë i mendimit qysh në krye të herës që ftesat për miqtë, t’u drejtoheshin jo krerëve të partive politike shqiptare që s’dihet sa janë, por institucioneve shtetërore të dala nga vota e lirë e popullit. Kështu, zoti Clerfayt ftesat në emër të tij ua ka dërguar përkatësisht dy presidentëve të Shqipërisë e të Kosovës, dy kryetarëve të parlamenteve, dy kryeministrave, ministrave të jashtëm, kryetarëve të bashkive të Tiranës dhe të Prishtinës, si edhe kryetarëve shqiptarë të bashkive të Tetovës dhe të Likovës (Maqedoni). Ftesë e posaçme i është dërguar Princit Leka, si përfaqësues i Familjes Mbretërore. Nga burime të brendshme të organizimit të veprimtarive, mësojmë se ftesa të njëjta u janë bërë edhe disa përfaqësuesve të tjerë të institucioneve qendrore të Shqipërisë e të Kosovës.
Rastësi ose jo, për fat të mirë, mjedisi ekologjik i veprimtarive të 22 shtatorit, siç shihet, do të jetë i mbrojtur nga ndotja politike. Edi Rama, ky antieuropian i përbetuar, tashmë ka një vit e ca që e ka humbur Bashkinë e Tiranës, me gjithë votën në favor të tij të ish-presidentit Topi, që, gjithashtu, nuk do të jetë mes bashkatdhetarëve, shumica e të cilëve vijnë nga radhët e nacionalizmit të mirëfilltë shqiptar.
Sipas informacioneve nga komisioni organizues, programi do të jetë si vijon:
Nga ora 15.00, deri në orën 15.15, do të vendoset një pllakë përkujtimore në piedestalin e përmendores së Skënderbeut, që do të hiqet përkohësisht prej andej, për t’u rinovuar, në mënyrë që të jetë gati përpara 28 Nëntorit të ardhshëm. Për dijeni të lexuesit tonë, shënoj se është mbledhur fondi i nevojshëm që kërkon rinovimi dhe, ndërkohë, po studiohen shpenzimet e mundshme për vendosjen e një përmendoreje të re, të denjë për staturën historike të Fatosit Shqiptar, i cili mbrojti qytetërimi europian nga hordhitë turke gjatë shekullit XV. Ekzistuesja nuk mund të eliminohet për shkak se nuk lejojnë ligjet e vendit. Ajo është regjistruar në librin e monumenteve të kulturës dhe mbrohet nga shteti.
Prej orës 15.30, deri në orën 16.00, të pranishmit do të vizitojnë mjediset Klubit të Futbollit – Kosova.
Në orën 16.30, do të zhvillohet seanca akademike në sallën qendrore të ndërtesës së Bashkisë së Skarbekut, e cila do të vazhdojë deri në orën 17.30. Gjatë seancës, fjalën do ta marrë së pari mikpritësi, zoti Bernard Clerfayt. Pastaj do t’u jepet fjala të ftuarve të nderit, jo më shumë se 10 minuta secilit. 
Pas përfundimit të seancës akademike, për të ftuarit nga Shqipëria, nga Kosova dhe nga Maqedonia, zoti Clerfayt do të shtrojë një darkë në njërën nga qendrat, ku shtrohen zakonisht tryeza të karakterit të lartë shtetëror.
Për të rinjtë shqiptarë, do të organizohet një mbrëmje argëtuese me artistë nga Shqipëria e Kosova.
Në mbyllje të këtij shkrimi, i cili ka kryesisht qëllim informacioni dhe sensibilizimi të opinionit, shtoj se, sipas bashkatdhetarëve emigrantë të viteve ’60, gjatë periudhës pesëdhjetëvjeçare të ekzistencës së emigracionit shqiptar në Bruksel, është hera e parë që veprimtari të tilla të bashkësisë shqiptare trajtohen me përkujdesjen e drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore të Belgjikës, këtë herë, të administratës së komunës së Sarbekut, ku banojnë me shumicë shqiptarë të ardhur herët ose rishtas në Bruksel.
Për zhvillimin e veprimtarisë, shpresoj ta vë në dijeni lexuesin tonë me një kronikë të hollësishme të së shtunës, 22 shtator.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›