E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vepro tani”, arroganca dhe inferioriteti i Qazim kryetarit

20-07-2012 / Nga Ylli Cerova

Një përfaqësues i politikës vendore në Elbasan si z. Qazim Sejdini, njëherazi biznesmen
dhe pronar në media kërkon të diktojë në kërkimin shkencor dhe konkretisht në fushën e
arkeologjisë. Sqaroj që artikullshkruesi dhe z. Elio Hobdari janë drejtuesit shkencorë të
projektit arkeologjik “Lagja romako-bizantine jashtë castrum Scampis” i miratuar nga Instituti i Arkeologjisë, pjesë e Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë i MTKRS. Duke filluar nga viti 2007 dhe në vijim me fondet e akorduara nga Instituti i Arkeologjisë dhe në një rast nga Bashkia Elbasan gjatë mandatit të parë të kryetar Qazimit është bërë e mundur të zbulohet një pjesë e bazilikës paleokristiane që ndodhet në ish bezistanin e qytetit të Elbasanit. Bazilika paleokristiane dallohet për një arkitekturë të pasur dekorative, mozaik tepër interesant dhe për pikturën murale shumë ngjyrëshe. Ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm për të zbuluar plotësisht bazilikën e Elbasanit por nuk është gjithçka në dorën tonë. Fondet financiare për zbulimin e bazilikës përcaktohen nga Instituti i Arkeologjisë dhe ne jemi të varur prej tyre.
Në këto rrethana pa u zbuluar plotësisht bazilika hartohet një projekt për mbulimin e një
pjese të mozaikut, i bashkërenduar me projektin mbi restaurimin e rrugës “Egnatia” që përshkon kalanë e Elbasanit nga perëndimi në lindje. Fondet financiare janë nga komiteti europian dhe një pjesë nga taksapaguesit elbasanas. Shuma në euro për realizimin e këtyre projekteve nuk është e vogël.
Personalisht sapo më sqaruan në lidhje me projektin e mbulimit të mozaikut të bazilikës
kam qenë kundër për faktin se nuk mund të jem dakord që mbi mozaikun paleokristian të
vendosen tre pllaka betoni mbi të cilat do të ngrihen kolona metalike për të mbajtur strukturën prej xhami. Tjetër, në projekt parashikohet të ndërtohet një mur betoni midis naosit dhe narteksit që ndan përmes monumentin. Njëkohësisht kam kërkuar pranë institucioneve përgjegjëse një bashkëpunim në lidhje me restaurimin e rrugës Egnatia dhe projektit të portës lindore të castrum Scampis. Të dy këto projekte janë firmosur nga titullarët e Bashkisë Elbasan dhe konkretisht në lidhje me projektin e mbulimit të mozaikut të bazilikës ato janë treguar inferior karshi asaj që u
është paraqitur megjithëse ka një staf inxhinier-arkitektë të aftë profesionalisht.
Kundërshtimi jonë nxiti arrogancën e Qazim kryetarit për të drejtuar ai vetë personalisht
zbulimin e krejt bazilikës në krye të një grupi punëtorësh të “ish komunales”. Do të ishte e udhës bashkëpunimi ndër institucional apo dhe financimi nga bashkia sikundër bën me projekte në fushën e artit. Financimi i projekteve arkeologjike i shërben zhvillimit të turizmit kulturor dhe ndihmon biznesin vendas.
Në këto rrethana unë ju drejtova institucioneve përgjegjëse dhe prokurorisë së shtetit,
të cilat reaguan menjëherë duke pezulluar këtë aventurë. Në të kundërshtim me këtë vendim të drejtësisë, Qazim kryetari, në median e tij private dhe në rrjetin mediatik bashkëpunues mashtroi opinionin publik elbasanas dhe më gjerë. -Së pari, në lidhje me ekipin që krijoi për zbulimin e monumentit ai veproi në kundërshtim të plotë me ligjet e shtetit shqiptar në lidhje me kërkimin shkencor. Ai me këtë veprim stimulon të gjithë personat që dëmtojnë trashëgiminë kulturore shqiptare dhe që kërkojnë në mënyrë të pandershme të përfitojnë prej saj. Rruga e zgjidhjes ishte vetëm bashkëpunimi institucional, të cilën ja kam parashtruar personalisht. -Së dyti, është e pashpjegueshme këmbëngulja e Qazim kryetarit për zbatimin e projektit të mbulimit të mozaikut të bazilikës me gjithë kundërshtimet e një grupi specialistësh të fushës.
Ky projekt nuk mund të zbatohet megjithëse është firmosur dhe nga ana e Bashkisë Elbasan mbasi dëmton vetë monumentin dhe dikush duhet të përgjigjet për shpërdorimin e parave të taksa paguesve elbasanas. Dikush duhet të përgjigjet dhe për kostot financiare të projektit ekzistues dhe atij që duhet të hartohet sipas vërejtjeve të specialistëve të fushës. Ç’është ky inferioritet kundrejt të tillë projekteve apo ka interesa të tjera?
Së treti, i kujtoj Qazim kryetarit që deri më sot nuk kam gabuar dhe aq më keq nuk
kam ngrënë ndonjë lugë çorbë të prishur prandaj mos u mundo të hedhësh baltë lart e poshtë.
Unë kam besim tek organet e drejtësisë të cilave ju jam drejtuar për të mbrojtur monumentet e kulturës.

*Arkeolog, pedagog në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›