“Kam treguar se respektoj koalicionet, me mua do fitohen edhe zgjedhjet e 2013-s”
Kryeministri Sali Berisha garanton aleatët e koalicionit
Kryeministri Sali Berisha përshëndeti dje në parlament konsensusin e arritur mes palëve për reformën zgjedhore, të cilin e cilësoi si mbylljen e një kapitulli të rëndësishëm për procesin e ardhshëm zgjedhor dhe adresimin e një mesazhi pozitiv Brukselit, në vijim të përmbushjes së kritereve të integrimit.
Nga foltorja e Kuvendit, kreu i ekzekutivit tha se dokumenti është pak i vonuar, por Kodi i ri është produkt 100 për qind konsensual si dhe janë adresuar të gjitha rekomandimet e misionit të ODIHR të konstatuara pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe ato lokale. Sipas tij, ky Kod u jep përgjigje një sërë problemesh të evidentuara në testimin e ligjit të mëparshëm.
“Sot për parlamentin, për vendin është një ditë e veçantë, votohet sot me konsensus një nga ligjet më themelore të një shoqërie të lirë, ligji i zgjedhjeve, Kodi Elektoral, fryt i një pune shumë mujore, serioze, të ekspertëve më të mirë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, të Komisionit Parlamentar të Reformës, ligj i cili adreson, u jep përgjigje një seri problemesh të evidentuara në testimin e ligjit të mëparshëm, i cili ishte 100 për qind konsensual në germë dhe në frymë, por që në dy provat e mëdha, atë të zgjedhjeve të përgjithshme dhe zgjedhjeve lokale u evidentuan problematika që duheshin adresuar për tu përsosur. Ligji i mëparshëm ka meritën e jashtëzakonshme që i dha Shqipërisë, po citoj këtu Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, sistemin më preciz të numërimit të votave në planet. Ka meritën e madhe se i dha Shqipërisë një sistem përfaqësimi rajonal, përfaqësimi politik shumë më të mirë se të mëparshmit të të gjitha qarqeve të vendit; ka meritën se prodhoi zgjedhje, të cilat sipas vëzhguesve ndërkombëtarë plotësuan kriteret kryesore të OSBE/ODIHR dhe nuk pati asnjë provë për manipulim rezultati apo numërim të parregullt. Natyrisht pati dhe mangësi të evidentuara, të cilat adresohen me të drejtë në këtë ligj. Ligji u testua në zgjedhjet lokale dhe pavarësisht nga momenti dramatik i përjetimit të rezultatit, rrethimit të paprecedent ndonjëherë të KQZ-së , ligji bëri të mundur që çdo votë e qytetarëve shqiptarë të numërohej para syve të tyre dhe syve te të gjithë botës. Natyrisht, ligji pati në mënyrë të padiskutueshme mangësitë e veta të cilat u adresuan. Nuk mund të thuhet se nuk kishte boshllëqe për sa u përket votave të hedhura në kutitë e gabuara, në kohën që këto vota në të gjitha kodet etike evropiane dhe botërore rezultojnë vota që duhet të konsiderohen. Ligji i jep përgjigje të qartë të gjithë problematikës që ekzistonin në interpretimin e nenit për Komisionin Zonal të Tiranës. Ligji shtrin më tej teknologjinë e lartë dhe një kompromis i arsyeshëm u arrit me ODIHR pasi i u pranua një test prej rreth 20 për qind të zgjedhësve dhe kjo kënaqi në një mënyrë kërkesën e Partisë Socialiste. Ligji adreson pra të gjitha rekomandimet dhe madje ndërhyn dhe në etapa të tjera, në momente te tjera, të cilat u gjykuan si të rëndësishme, të domosdoshme, nga ata ekspertë, do të them dhe njëherë, të shkëlqyer kombëtarë dhe ndërkombëtarë, të cilët punuan mbi këtë ligj, ndaj dhe unë dua tu shpreh atyre mirënjohjen më të thellë falënderimet e mija të përzemërta, sikundër dua të shpreh një mirënjohje dhe një falënderim të përzemërt për të 7 anëtarët e KQZ, të cilët kanë punuar me përkushtim, me ndershmëri, në kushte të paimagjinueshme, të vështira në momente te caktuara, por ata i qëndruan besnikë ligjit, i qëndruam besnikë detyrës, i qëndruan besnikë misionit të tyre. Nga ata që sot kanë një vendim tjetër për këtë komisionin, ky nuk është problemi i tyre, por është problem i marrëdhënieve politike ndërmjet forcave, i marrëdhënieve mes forcave politike të vendit, ndaj dhe ata duhet tu them këtu që ata kanë, për sa i përket kësaj mazhorance, vlerësimin e palëkundur të saj, si shërbëtorë dinjitozë të zgjedhësve të Shqipërisë, të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Berisha.
Duke u ndalur në një tjetër çështje të rëndësishme, siç është heqja e imunitetit, Kryeministri i bëri thirrje opozitës të dëshmojë të njëjtin vullnet si me reformën zgjedhore, duke kërkuar votimin e ndryshimeve Kushtetuese në 6 gusht. Ai tha se opozita duhet ta përdorë si argument që mazhoranca pranoi propozimet e saj, dhe jo të refuzojë opinionin e saj.
“Ne po mbyllim këtu një kapitull shumë të rëndësishëm dhe është një arritje e madhe, nuk janë të shumta vendet të cilat arrijnë të votojnë me konsensus ligjin elektoral. Të shumtat nuk arrijnë ta votojnë me konsensus dhe kjo është e vërteta. Ne kemi bërë trajtimin më të përgjegjshëm të këtij ligji që është themelor për një shoqëri të lirë. Le të na frymëzojë ky ligj, ju bëj thirrje të kalojmë tek ligji tjetër, i cili ka një vlerë të jashtëzakonshme, ligji i zhveshjes sonë nga imuniteti. Ky ligj që pret datën 6, ekzistojnë të gjitha kushtet dhe mundësitë që ne të ngrihemi në lartësinë e përgjegjësive tona dhe ta votojmë atë brenda muajit korrik. Nuk ka nevojë të bëjmë një historik, por unë ju bëj thirrje ju deputetëve socialistë, u bëj thirrje ju, ish qeveritarëve, ish zyrtarëve të mendoni për një moment se si do u dukemi ne qytetareve shqiptare, në qoftë se ju themi – ‘unë me imunitet, kurse ti pa imunitet dhe pa ligjin’. Cili është mesazhi që japim ne për qytetarët tanë? Kjo nuk duhet të ketë asnjë lidhje me një kërkesë ndërkombëtare, kjo duhet të ketë lidhje tërësisht me një standard të brendshëm moral që ne politikanët e këtij vendi kërkojmë të vendosim. Kjo duhet të ketë lidhje me vendosmërinë tonë për të bërë atë që kanë bërë ligjvënësit amerikanë ndofta 200 vjet më parë në kushtetutën e tyre, për të bëra atë që kanë bërë ligjvënësit e vendeve të tjera dhjetëra, qindra vite më parë, sepse nuk ka parim më themelor për një shoqëri, nuk ka parim më të drejtë për një shoqëri, sesa parimi i barazisë para ligjit, por ne shkojmë më tutje. Çfarë mendojmë ne se qytetarët nuk janë në gjendje të vlerësojnë pse e heqim dhe pse nuk e heqim imunitetin. Të jemi të vërtete me veten tonë, në qoftë se ne nuk heqim imunitetin, ne e themi shqip dhe copë, - ‘nuk e heqim se kemi dorë, nuk e heqim se kemi frikë nga frikë nga dora jonë, nuk e heqim se kemi frikë nga veprat tona, nuk e heqim se nuk mund të pranojmë të barazohemi me ju’. - Një histori ekziston këtu në parlament, kur ne sollëm ligjin në vitin 2003, ju ishit në qeveri dhe e kundërshtuat në mënyrën tuaj. Kur ne sollëm ligjin në vitin 2005, ju e kundërshtuar sepse kërkuat ndryshimin e Kushtetutës. Kur ne gjatë ndryshimit të kushtetutës kërkuam të ndërhynim në imunitet, ju e kundërshtuat se nuk është në axhendë, kur KE mbështeti propozimin tuaj për ndryshimin e Kushtetutës, ne ndryshuam pozicionin tonë dhe mbështetëm propozimin tuaj. Unë këtu dua të dal. Duhet të dini një gjë që në histori të dy palët fitojnë. Ju, në vend që të përdorni këtë si një argument që e detyruam shumicën që të vijë tek varianti ynë, ju kundërshtoni veten tuaj. Por çfarë mendoni ju se qytetarët nuk janë në gjendje të gjykojnë? Dhe çfarë bëni, i vëni 8 prita për ta ekzekutuar në çdo pritë. Ç’ishin ato 8 kushte zotëri, ishin prita ndaj ligjit”, tha Berisha, duke i mëshuar edhe njëherë faktit se mazhoranca është e vendosur për luftën kundër korrupsionit. “Jemi të vendosur të luftojmë korrupsionit. Të fitojnë ata që janë në nevojë, të fitojë Shqipëria dhe po fituan këta kemi fituar të gjithë ne. Dhe nuk ka asnjë argument për ta kundërshtuar”, tha ai.
“Besnikëri ndaj aleatëve, në zgjedhjet e vitit 2013 hyjmë vetëm për t’i fituar”
Kryeministri Sali Berisha garantoi aleatët e tij për besnikëri ndaj tyre, për fitoren e madhe, siç tha ai, në zgjedhjet parlamentare të 2013-s.
Duke u ndalur te pretendimet e partive të vogla dhe mos përfshirjen e propozimeve të të “vegjëlve”, për ndryshimin e sistemit zgjedhor, Berisha tha se ndryshe nga Rama, ai ka shprehur besnikërinë e tij ndaj aleatëve.
Kreu i ekzekutivit foli për një aleancë të gjerë që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 do të hyjë vetëm për t’i fituar ato. “Po të kisha qenë sot në vendin e tyre ju garantoj se ligjërata më të forta se ju mbajtën ata, do të mbaja kundër Sali Berishës dhe Edi Ramës, por një dallim duhet të bëj. Të gjithë ta të cilët duan të lexojnë traktate, libra, romane apo novela mbi dashurinë dhe tradhtinë, le të lexojnë historinë e aleancave të Edi Ramës me aleatët e tij dhe pastaj le të lexojnë besnikërinë e Sali Berishës ndaj aleatëve të vet. I garantoj aleatët se në qoftë se nuk arrita të realizoj qëllimet e tyre të ndershme, ju garantoj besnikërinë time të palëkundur me një aleancë që do të fitojë në zgjedhjet e 2013”, deklaroi dje në Kuvend, Kryeministri Sali Berisha.