E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vera shton vjedhjen e makinave në Shqipëri



Ardhja e sezonit veror sjell edhe një fluks emigrantësh, por në disa raste edhe rritje të kriminalitete dhe sidomos rritje të vjedhjeve të automjeteve. Ardhja e emigrantëve sipas burimeve nga policia e Tiranës do të sjellë edhe makina të cilat mund të jenë vjedhur në vendet që ata jetojnë. Kështu uniformat blu të kryeqytetit kanë nisur një operacion për kontrollin e të gjitha automjeteve për të parë nëse ato janë të vjedhura ose jo. Madje ditët e fundit janë sekuestruar 9 automjete të cilat kanë rezultuar të jenë vjedhur në vendet fqinjë, Itali, Serbi apo edhe Gjermani. Ndërkohë sipas burimeve nga policia mësohet se skema e vjedhjes së këtyre makinave nis që nga jashtë, nga pronari i saj i vërtet i cili kalon automjetin e tij në pikën kufitare me Shqipërinë ku e dorëzon te shtetasi shqiptar dhe kur rikthehet në vendin e tij e deklaron atë të vjedhur, duke përfituar kështu edhe një shpërblim nga kompania e sigurimeve. Ndërkohë një tjetër skemë është ajo e vjedhjes së makinave nga emigrantët shqiptar dhe sjellje e tyre në Shqipëri. Kështu për këtë arsye përparësia e policisë së Tiranës këtë vit do të jetë sekuestrimi i makinave të vjedhura dhe rikthimi i tyre te pronarët e huaj. Ndërkohë tipat e makinave sipas policisë janë ato të prodhimeve të fundit dhe që kanë një vlerë të madhe në para.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›