Verderi, rezultat fantastik 8-1. Fiton dhe Karslruhe e Kapllanit

Rezultat i jashtëzakonshëm, fitore e bujshme dhe e pabesueshme: Verder Bremen përmbyt 8-1 Arminian e Bilefeldit. Edhe Bajerni fitoi në transfertë me Bajer Leverkuzenin me rezultatin e ngushtë 1-0 (gol i Luka Tonit) duke ruajtur kryesimin me 20 pikë, katër pikë më shumë se Shalke 04 e vendit të dytë (16). Në ndeshjet e tjera Hamburgu barazoi 2-2 me Volfsburgun, Bokum-Nuremberg 3-3, Rostok-Stutgard 2-1. Të premten Shalke fitoi me Hertën e Berlinit 1-0.
KAPLLANI – Sulmuesi durrsak i Karlsruhes, Edmond Kapllani vazhdon ta nisë ndeshjen nga stoli, madje në fitoren 3-1 të Karlsruhes hyri në minutën e 63-të duke zëvendësuar mbrojtësin Shtratfeld. Golat për Karlsruhen u shënuan nga Porcelo (25'), Egiman (64') dhe Freis (75'). Për Borusian e Dortumundit shënoi Vorns (41'). Me këtë fitore formacioni i Ede Bekerit u ngjit në kuotën e 15 pikëve, duke qenë i treti në kampionatin gjerman pas tetë javëve.
LALA - Hanoveri i Altin Lalës pret Duisburgun. Kapiteni i Kombëtares shqiptare pritet të luajë nga minuta e parë, pasi dhe Balitc është me probleme muskulore. Lala bëri një prezantim dinjitoz të mërkurën në fitoren 2-0 të Hanoverit me Bilefeldin, ku dha dhe asistin e golit të dytë.
SKELA - Në Frankfurt mysafir do të jetë Energi Kotbusin e Ervin Skelës, ku mesfushori i Kombëtares shqiptare do të ndeshet me ish-ekipin e tij, Eintrahtin i Frankfurtit, prej të cilit ruan kujtimet më të bukura në Gjermani.