E Diel, 1 Nëntor 2026

Veriu i Kosoves qeveria arrin marreveshjen me NATO-n

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha sot se pas bisedimeve të gjata është arritur marrëveshja me NATO-n për veriun e Kosovës, e cila parashikon ruajtjen e gjendjes së re të krijuar në dy pikat kufitare në veri dhe zbatimin e vendimit për masat e reciprocitetit me Serbinë.

 “Qeveria e Kosovës ka arritur pajtimin për ruajtjen e gjendjes së re të krijuar në pikën 1 dhe 31 që është rezultat i vendimeve të suksesshme të Qeverisë së Kosovës. Ky pajtim është arritur me KFOR-in pra me NATO-në. Masat e reciprocitetit do të zbatohen dhe kontrabanda është ndal në 100 për qind”-tha Thaçi.

Kryeministri Thaçi tha se arritja e kësaj marrëveshje për ruajtjen e gjendjes së re të krijuar në veri pas 25 korrikut është ndër arritjet më të mëdha për Kosovën pas shpalljes së pavarësisë.

“Më lejoni që për këtë sukses të falënderojë qytetarët për maturinë, respektimin dhe besimin e plotë te qeveria dhe vendimet që ajo ka marrë. Ritheksoj, që për strukturat kriminale do ketë ballafaqim me ligjin dhe drejtësi”-theksoi ai.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilat kanë mirëpritur arritjen e pajtueshmërisë nga KFOR-i me të dyja qeveritë, atë të Kosovës dhe të Serbisë.

Bul Salihu
Azhornuar së fundi ( e premte , 05 gusht 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›