Veriu, jashtë procesit të regjistrimit

Rezultati përfundimtar i regjistrimit të popullsisë në Kosovë do të bëhet i ditur deri në fund të vitit të ardhshëm, ndërsa pavarësisht përpjekjeve që në këtë proces të përfshihen edhe serbët e veriut, kjo ka dështuar dhe tash për tash nuk ka ndonjë plan për përfshirjen e këtij komuniteti në këtë proces në të ardhmen.
Kështu u tha në takimin e drejtorit të Eurostatit, Peter Everers me ministrin e Administratës Publike, Mahir Jaggjillar, të enjten, me ç’rast u konfirmua edhe njëherë mos përfshirja e serbeve të veriut në procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë, i cili është mbajtur në prill.
Drejtori i Eurostatit, Peter Everes gjatë vizitës së tij në Entin e Statistikave ka shprehur keqardhje që serbët kanë bojkotuar regjistrimin në veri.
“Për Komisionin Evropian, veriu i Kosovës është pjesë e Kosovës dhe është për keqardhje fakti që kjo pjesë ka mundur të regjistrohen nëse pas një kohe do të kërkojmë nga Kosova të na tregojë numrin e përgjithshëm të popullsisë. Ne presim të na japin informacionet që bazohen në rezultatin e 34 komunave, të kombinuara me vlerësime për popullatën në veri”, ka thënë Everers.
Ndërkaq ministri Jaggjilar, ka bërë të ditur se rezultati përfundimtar i regjistrimit të popullsisë do të bëhet i ditur më së largu deri në fund të vitit të ardhshëm.
“Rezultatet përfundimtare të regjistrimit të popullsisë do të publikohen në fund të vitit të ardhshëm, por para publikimit të Raportit të progresit”, ka thënë Jaggjillar.
Të dy palët kanë vlerësuar se procesi i regjistrimit të popullsisë ka qenë i suksesshëm dhe i pranueshëm për Komisionin Evropian.
Ndryshe, sivjet në prill është mbajtur regjistrimi i popullsisë në Kosovë, i pari pas tri dekadash dhe ku veriu ka mbetur jashtë këtij procesi, për shkak të bojkotimit nga ana e serbëve në veri.
Sipas rezultateve preliminare të regjistrimit, Kosova ka më mbi 1.8 milionë banorë. /kosovapress/