Dobrusha: Stop largimeve politike nga puna
Asnjë mësues nuk do të largohet nga puna për arsye politike. Garancia është dhënë nga kreu i Konfederatës së Arsimit, Xhaferr Dobrusha, që mbron të drejtat e arsimtarëve dhe ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, gjatë një aktiviteti të zhvilluar dje për 20-vjetorin e krijimit të Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës. Kreu i Konfederatës së Arsimit, duke marrë shkas edhe nga fushata elektorale për zgjedhjet e 8 Majit, ka kërkuar nga politika të mos i “prekë” mësuesit, pasi, sipas tij, politika dhe partitë nuk duhet të ndërhyjnë në arsim. Gjithashtu, Dobrusha ka theksuar se nuk do të lejohet që asnjë mësues të largohet nga vendi i punës, për motive politike dhe kjo është edhe një nga pikat e rëndësishme të ligjit “Për arsimin parauniversitar”. “Nëse bëhet fjalë për lëvizje, për largime nga puna, për kritere politike, sindikata i garanton se do t’i mbrojë”, - tha Dobrusha. Të njëjtin qëndrim për këtë çështje ka mbajtur edhe vetë kreu i Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili tha se mësuesit janë të mbrojtur nga statusi i tyre dhe se në korrik do të ketë një rritje page. “Mësuesit nuk lëvizin për fushata, Statusi i Mësuesit është i konsoliduar. Në korrik ndodh rritja e pagave dhe jam i sigurt se do të jetë më e madhe se ajo që ndodhi vjet”, - u shpreh Tafaj. Statusi i Mësuesit, një nga kërkesat e hershme të arsimtarëve, tashmë është shndërruar në një nga kolonat kryesore të projektligjit të ri “Për arsimin parauniversitar”. Kreu i Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës, Xhafer Dobrushi ka shpjeguar disa nga detajet kryesore të sugjerimeve që kanë bërë sindikalistët për Statusin e Mësuesit. Sipas projektligjit të ri, statusi përfshin të gjithë mësuesit, si në shkollat publike dhe ato private, duke filluar nga arsimi parashkollor, arsimi bazë, i ulët dhe i lartë dhe arsimi i mesëm i përgjithshëm dhe profesional. Sipas kreut të Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës (FSASH), nisma që ka ndërmarrë MASH për hartimin e ligjit të ri për arsimin parauniversitar përbën një hap dhe moment me rëndësi në zhvillimin dhe konsolidimin e procesit të reformimit të këtij sistemi. “Së pari, FSASH ka bërë sugjerime dhe propozime që lidhen me harmonizimin e projektligjit me Konventat Ndërkombëtare të Punës dhe me ligjin për Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë. Në projektligjin e ri ‘Për arsimin parauniversitar’ përfshihen dispozita që trajtojnë marrëdhëniet e punës, raportet me partnerët socialë, me shoqatat e prindërve dhe nxënësve, me të drejtat dhe detyrat e mësuesve, me sistemin e pagave e të shpërblimeve etj. Së dyti, FSASH është angazhuar për të përfshirë në ligjin e ri një nga kërkesat e hershme të saj, dispozitat për Statusin e Mësuesit. Statusi që u garantohet mësuesve nëpërmjet këtij ligji është shprehje e qëndrimit, vlerësimit dhe konsideratës që ka shoqëria dhe shteti për figurën, profesionin, misionin dhe punën e mësuesit. Në ligjin e ri, për herë të parë, mësuesi legjitimohet si figura qendrore e shkollës, vlerësim ky i merituar, sepse mësuesit luajnë rol thelbësor për zhvillimin bashkëkohor të sistemit arsimor në vend dhe, nëpërmjet arsimimit të brezit të ri japin një kontribut të pazëvendësueshëm për zhvillimin e individit dhe të shoqërisë moderne, formojnë inteligjencien tekniko-shkencore, si bazë për progres të vazhdueshëm jo vetëm kulturor dhe moral, por edhe ekonomik e social të vendit”, - ka shpjeguar Dobrushi. Ndërkohë, autoriteti që do të kujdeset dhe mbikëqyr respektimin e dispozitave të “Statusit të Mësuesit”, sipas ndryshimeve të bëra në projektligjin e ri, është sindikata, ose sindikatat më të përfaqësuara, nënshkruese të Kontratës Kolektive të nivelit të parë.