Vërtetime false për statusin e invalidit të luftës

Sabit Krasniqi, Hashim Krasniqi e Isa Xhemajli kanë marrë “ryshfet të majmë” për rregullimin e dokumenteve të kushërinjve të tyre për të marrë statusin e invalidit të luftës.
Tri raste të cilat i posedon me fakte gazeta “Bota sot” shtojnë dyshimet për dallavere të shumta në procesin e marrjes së statusit të invalidit të luftës. Tre veta që sot gëzojnë këtë status duket se kanë dhënë ryshfet të majmë dhe kanë ndryshuar lokacionin e komunës së tyre, duke kaluar nga komuna e Vushtrrisë në atë të Obiliqit për të rregulluar statusin e tyre të invalidit të luftës. Për të rregulluar statusin e invalidit të luftës janë dhënë shuma deri në 9 mijë euro.
Ismet N.Krasniqi, Afrim H.Krasniqi e Hanefi N.Krasniqi kanë aplikuar për të marrë statusin e veteranit të luftës dhe për të përfituar këtë status në bazë të ligjeve aktuale në fuqi të Republikës së Kosovës.
Burime të gazetës “Bota sot” bëjnë të ditur se këta tre persona nuk kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së nga radhët e luftëtarëve të fshatit Zhilivodë të komunës së Obiliqit, por ata i kanë rregulluar dokumentet dhe kanë aplikuar që të marrin statusin e veteranit të UÇK-së dhe t’i sigurojnë vetes një përfitim të pamerituar.
Sipas një dokumenti që ka siguruar “Bota sot” Ismet N.Krasniqi, Afrim.H.Krasniqi e Hanefi N.Krasniqi kanë aplikuar si invalidë të luftës, por në fakt ata janë plagosur në rrethana të tjera dhe jo gjatë kohës së luftës.
Kështu Ismet Krasniqi asnjëherë nuk ka qenë ushtar i UÇK-së, por i ka rregulluar dokumentet (në mënyrë joligjore) dhe sot ka përfituar statusin e invalidit të luftës me dëshmi të rrejshme, të nënshkruara nga Sabit krasniqi, Hashim Krasniqi e Isa Xhemajli. Ismet Krasniqi këtë status dhe këtë përfitim e ka siguruar falë miqësisë që ka me Isa Xhemajlin, ndërsa Sabit Krasniqin e ka axhë.
Ismet Krasniqi është lënduar këtu e 20 vjet më parë në një aksident komunikacioni në Drenas, kur treni e kishte goditur autobusin, në të cilin ndodhej edhe Ismet Krasniqi. Me këtë rast Ismeti e kishte humbur syrin. Por ai tashmë ka statusin invalidit të luftës falë dokumenteve të rrejshme, të cilat ia kanë bërë gati kushëriri i tij Sabit Krasniqi dhe miku i shtëpisë së tij Isa Xhemajli.
Ismet N.Krasniqi nuk ka arritur t’i rregullojë dokumentet e tij në Vushtrri , por ka zgjedhur Obiliqin, (degën e kësaj komune të Veteranëve të UÇK-së) për ta rregulluar dokumentacionin nevojshëm.
Hiç më “pastër” nuk i ka punët as Afrim H.Krasniqi. Ai është shpallur invalid i luftës edhe pse nuk është plagosur asnjëherë në luftë. Afrimi ka shfrytëzuar “bamirësinë” e Sabit e Hashim Krasniqit e Isa Xhemajlit dhe sot ai gëzon statusin dhe përfitimet e veteranit të luftës. Natyrisht se edhe Afrim Krasniqi ka paguar një shumë të mirë të ryshfetit për të marrë këtë status. Madje Afrim H.Krasniqi nuk ka pasur guxim të konkurrojë për statusin e veteranit të luftës sa ishte në krye të Shoqatave të Dala nga Lufta Faik Fazliu për faktin se ky i fundit e dinte fare mirë se as Ismet, Afrim e Hanefi
Krasniqi nuk ishin lënduar në luftë. As këta të tre, megjithëse janë nga komuna e Vushtrrisë, nuk kanë arritur të konkurrojnë në Shoqatën e Veteranëve të UÇK-së në këtë komunë ,por kanë gjetur zgjidhje duke konkurruar në atë të komunës së Obiliqit.
Burimet e gazetës bëjnë të ditur se për rregullimin e statusit të invalidit të luftës të Afrim Krasniqit i kanë ndihmuar edhe Fehmi Mjekiqi, Arif Krasniqi – Muja dhe Sabit Lladrovci. Në luftë nuk është plagosur as Hanefi Krasniqi. Por ai tashmë e ka siguruar këtë status dhe vazhdon të marrë përfitimet e invalidit të luftës. Ai nuk është plagosur asnjëherë gjatë luftës, sepse gjatë gjithë kohës së luftës ka qëndruar në Shqipëri.
Hanefi Krasniqi supozohet se ka thyer një filial të një banke komerciale në Drenas dhe me paratë e vjedhura nga kjo bankë ka arritur të paguajë ryshfetin e kërkuar për të rregulluar dokumentet e tij për statusin e invalidit të luftës./Indeksonline/