LDK: Ministria e Sporteve synon ta zhveshë Kosovën nga një ikonë e saj

LDK e ka përcjellë me shqetësim të madh indiferencën e skajshme të Ministrisë së Kulturës ndaj kërkesave legjitime të një sportisteje me nam botëror, xhudistes Majlinda Kelmendi
.
LDK-ja vlerëson se Kelmendi paraqet vlerë të pakontestueshme sportive dhe vlerë përfaqësuese të saj. Prandaj, largimi i saj drejt një vendi tjetër për ne nënkupton varfërim të Kosovës edhe për një nga ikonat përfaqësuese të saj.
“Ne jemi të vetëdijshëm se një kastë politike e cila provoi që Kosovën ta zhveshte nga ikona e humanizmit, Nëna Tereze, pastaj nga ikona politike, dr. Rugova, me lehtësi mund të provojë ta zhveshë atë edhe nga ikona e saj sportive: xhudistja Kelmendi.
“Ne i bëjmë thirrje Federatës së Xhudos të Kosovës, xhudistes Kelmendi dhe trajnerit Kuka që të mos heqin dorë nga vendi i tyre për shkak të ftohtësisë me të cilën kasta politike në krye të ministrisë po ua imponon largimin nga vendi. Vlerat e tyre janë vlera të vendit të tyre dhe identiteti sportiv i tyre po e ndihmon edhe identitetin politik të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kosova ka nevojë për këtë përfaqësim dhe ne i inkurajojmë ata që të vazhdojnë, megjithë vështirësitë, që t’i shërbejnë atdheut të tyre”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
Gjithashtu LDK-ja vlerëson se sportet luftarake kanë qenë dhe mbeten mundësi e Kosovës për velra konkurruese në botë. Ne synojmë që t’i mobilizojmë federatat, Komitetin Olimpik të Kosovës, partnerët vendës e ndërkombëtarë që këtyre sporteve t’u rikthehet shkëlqimi i dikurshëm.
LDK-ja synon mbrojtjen e vlerave kulmore dhe, për rrjedhojë, do të bashkëpunojë me të gjitha palët për t’i promovuar vlerat përfaqësuese të saj./Indeksonline/