E Diel, 1 Nëntor 2026

Vërtetimet për azil, në Prokurori kreu i Pajtimit të Gjaqeve

 Policia e Shtetit bëri me dije se procedimi ka nisur ndaj Gjin Markut, 55-vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Kryetar i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar si dhe ndaj Pashko Popaj, banues në Bajzë Kastrat, Malësi e Madhe, anëtar i Shoqatës së Misionarëve të Paqes dhe Pajtimit të Gjaqeve të Shqipërisë me qendër në Shkodër. 

Këta shtetas dyshohen se duke shfrytëzuar pozicionin në shoqatat e mësipërme kanë lëshuar vërtetime të falsifikuara për persona të ndryshëm, që ata të aplikonin dhe përfitonin në mënyrë të padrejtë azilin në vende të ndryshme të Evropës, duke konsumuar elemente të veprës penale te “Falsifikimit të dokumenteve”.

 “Nga informacionet e grumbulluara dhe verifikimet e kryera në vazhdimësi nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Departamentin Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me policitë homologe, ka rezultuar se personat e sipërpërmendur kanë lëshuar vërtetime të falsifikuara dhe pa asnjë bazë ligjore edhe pse shtetasit e interesuar nuk figurojnë të jenë në hasmëri apo gjakmarrje”, bëri me dije policia.

Policia e Shtetit do të vijojë verifikimin e të gjitha rasteve të ngjashme, duke kryer të gjitha  veprimet procedurale në ngarkim të të gjithë atyre shtetasve që do të evidentohen se kanë kryer apo kryejnë veprime antiligjore./Start/

                                                                                             2011-12-02 13:30
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›