Veseli në Qeveri

Debateve për dhe kundër formimit të koalicioneve po u vjen fundi. Përpos përbërjes së koalicionit PDK, AAK dhe AKR, janë ndarë pothuajse të gjitha postet që nga presidenti deri tek ministritë, ndërsa te këto të fundit për here të parë në kombinime gjendet edhe emri i ish-shefit të SHIK-ut, Kadri Veselit.
Një burim anonim ka konfirmuar për gazetën Lajm se, përpos që janë ndarë pothuajse të gjitha postet që nga presidenti e deri tek ministritë, janë caktuar pothuajse edhe të gjithë emrat e zëvendëskryeministrave dhe ministrave të ardhshëm.
Pra, sipas këtij burimi nga PDK-ja, president mund të zgjidhet Jakup Krasniqi, ndërsa alternativ është Blerim Shala. Kryetar i Kuvendit do të jetë Ahmet Isufi. Kryeministër - Hashim Thaçi, ndërsa zëvendëskryeministra Hajredin Kuçi, Muhamet Mustafadhe Ukë Rugova.
PDK-ja do të ketë tetë ministri. Ministria e Administratës Publike - Edita Tahiri, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë – Enver Hoxhaj (Ramë Vataj), Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural - Ilir Morina, Ministria e Ekonomisë dhe Financave - Bedri Hamza , Ministria e Energjisë dhe Minierave - Ramë Buja ose Safete Hadërgjonaj, Ministria e Integrimit Evropian - Besim Beqaj, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit - Memli Krasnqi dhe Ministria e Punëve të Brendshme - Kadri Veseli (Bajram Rexhepi).
AAK-ja do të ketë katër ministri. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal - Besnik Tahiri, Ministria e Drejtësisë - Kujtim Kërveshi, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë - Ramiz Kelmendi dhe Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit - Naim Maloku.
Ndërsa AKR-ja do të ketë tri ministri. Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës - Agim Çeku, Ministria e Punëve të Jashtme - Mimoza Kusari-Lila dhe Ministria e Shëndetësisë - Ferid Agani
Partitë e minoriteteve do të kenë Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Ndryshimet që mund të ndodhin nga kjo përbërje janë të karakterit kushtetues. Nëse në Kushtetutë nuk lejohen interpretime sa i përket postit të kryetarit të Kuvendit, ku sipas Kushtetutës i takon partisë më të madhe, atëherë president do të jetë Blerim Shala kurse Jakup Krasniqi do ta udhëheqë Kuvendin edhe për një mandat.
Po ashtu këto burime kanë njoftuar se është duke u diskutuar edhe formimi i dy ministrive të reja - Ministria e Teknologjisë Informative, të cilën do ta udhëheqë eksperti i kësaj fushe, Isa Krasniqi (PDK) dhe Ministria për Emigracion, të cilën do ta udhëheqë Jahja Lluka (AAK). (telegrafi)