Bashkia e Tiranës: Taksat për biznesin e vogël për vitin 2010
Bashkia e Tiranës përcakton taksat që do të paguajë biznesi i vogël për vitin 2010. Sipas projektbuxhetit, të Bashkisë së Tiranës, të ardhurat nga taksa mbi biznesin e vogël për vitin 2010 parashikohen në shumën 1.125.000.000 lekë ose 90 % më pak se viti 2009. Në këtë shumë përfshihet parashikimi i (vlerës së kësteve që paguhen brenda vitit 2010 si dhe këstin e katërt të vitit 2009, që paguhet brenda datës 20 të muajit janar 2010. Llogaritja e kësaj takse është mbështetur në: udhëzimin për përcaktimin e uniformitetit të standardeve dhe raportimit të taksave vendore si dhe në vendimet e Këshillit Bashkiak për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës; Parashikimin e arkëtimit nga subjektet aktive të mbartura nga viti 2009; parashikimin e hapjes së aktiviteteve të reja, edhe pse në numër të kufizuar si rezultat i ndikimit të krizës ekonomike; arkëtimet nga debitorët; shtimin e bazës së taksapaguesve dhe kontrollet për përcaktimin e saktë të nivelit të xhiros vjetore.
Bizneset
Gjatë periudhës gjashtëmujore janë evidentuar 96 subjekte, prej të cilave, të gjitha janë likuiduese për periudhën. Këto të dhëna reflektojnë edhe realizimin e pritshëm të të ardhurave nga kjo taksë për vitin 2009, në shumën 78.000.000 leke. Nga sa më sipër, parashikimi i të ardhurave ka marrë parasysh ecurinë gjatë vitit 2009, shtimin e strukturave të reja si dhe vlerat e munguara të debitoreve. Për vitin 2010, të ardhurat nga kjo taksë parashikohet të kapin shifrën prej 80.000.000 lekë me një rritje prej 3% krahasuar me vitin 2009. Duke ju referuar planit vjetor të vitit 2009, të kësaj takse prej 1.250.000.000 lekë, sipas kalkulimeve dhe vëzhgimeve në terren të subjekteve që deri më tani nuk kanë kryer likuidimin e këtij viti, pritet që realizimi të arrijë në 1.125.000.000 lekë ose 90 % e parashikimit vjetor.
Gjatë vitit 2009, janë regjistruar pranë QKR-së 3800 subjekte të reja të kategorisë “Biznes i Vogël”, ndërkohë që janë çregjistruar ose pezulluar rreth 2600 subjekte, për pasojë janë vetëm 1200 subjekte që realisht kanë funksionuar si të tilla dhe kanë likuiduar detyrimet e vitit.
Ndërtimet
Baza e taksës është vlera në lekë e investimit të ri që kërkohet të kryhet. Klasifikimi si investim i ri dhe vlerat përkatëse përcaktohen në përputhje me legjislacionin në fuqi për dhënien e lejes së ndërtimit. Në këtë taksë përfshihen edhe të ardhurat e taksës së ndikimit në infrastrukturë dhe penalitetet nga procesi i legalizimit. Me ndryshimet e reja ligjore taksa e legalizimit u ul në mënyrë të ndjeshme nga 4 % në 0.5 %, duke ndikuar në mënyrë serioze të ardhurat, të cilat sipas legjislacionit duhet të investohen për komunitetin e atyre zonave kontribues të kësaj takse. Struktura e ngarkuar për përllogaritjen dhe lëshimin e autorizimit për pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja është Drejtoria e Përgjithshme e Urbanistikës si dhe ALUIZNI. Për të pritshmin e vitit 2009 mendohet të arkëtohen 1.530.000.000 lekë ose 90 % e planit vjetor. Parashikimi i të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për vitin 2010 parashikohet të jetë 1.515.000.000 lekë. Ashtu siç vërehet, kemi një ulje krahasuar me planin e këtij viti, kjo si rezultat i dy faktorëve: ndryshimet ligjore (legalizimet e objekteve pa leje); përbërjes politike të KRRT-së.
Taksat për biznesin e vogël
Bizneset për vitin 2010 - 1.025.000.000
Subjektet debitore të vitit 2009 - 60.000.000
Subjekte të reja - 40.000.000
Zbritet kësti i katërt që paguhet deri në 20 janar 2011 -250.000.000
Shtohet kësti i katërt i vitit 2009 që paguhet deri 20 janar 2010 - 250.000.000
Taksa e kalimit të së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme
Taksa e kalimit të së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme vendoset për ndërtesat dhe të gjitha pasuritë e paluajtshme në çastin e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi ta. Agjenti tatimor për vjeljen e taksës mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme është Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme e cila në rolin e agjentit të taksës përfiton 3 % të shumës së arkëtuar. Si rrjedhojë e mungesës së lejeve të ndërtimit për një periudhë 2-3 vjeçare dhe zvarritjeve në procesin e legalizimit nga ALUIZNl, nuk është bërë i mundur realizimi 100 % i parashikimit të të ardhurave për këtë taksë. Pritshmëria për këtë taksë është 189.000.000 lekë. Kjo taksë ndiqet rregullisht nga strukturat e DPTTV, punë e cila reflektohet në akt-rakordimet mujore me këtë agjent dhe që konfirmohet edhe nga Dega e Thesarit. Parashikimi i të ardhurave për vitin 2010 është menduar të jetë në shumën 210.000.000 lekë.
Taksa e regjistrimit të përvitshëm të automjeteve
Baza e taksës është lloji i mjetit të transportit rrugor. Niveli i taksës shprehet në një kuotë të caktuar, sipas llojit të mjetit. Kategoritë dhe nivelet, sipas mjeteve, përcaktohen në lidhjen përkatëse të ligjit Nr.9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar.
Agjenti tatimor për vjeljen e kësaj takse është Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor dhe Drejtoria e Qarkullimit Rrugor, të cilët në rolin e agjentit për taksën, përfitojnë përkatësisht 5 % dhe 1 % të shumës së arkëtuar. Për vitin 2009, nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit të Transportit Rrugor pritet të realizohet një shumë prej 250.000.000 lekë që është sa vlera e parashikuar për këtë vit, kundrejt 85 000 automjete të regjistruara ose 5000 automjeteve më shumë se parashikimi. Vlen të theksohet, se nga strukturat e DRSHTR kërkohet një përgjegjshmëri konkrete lidhur me saktësimin e mjeteve që duhet të paguajnë këtë taksë, pasi referuar germës së alfabetit për të cilat janë emetuar edhe targat, mendojmë se do të rezultojë edhe një numër më i madh mjetesh që duhen taksuar për regjistrimin e përvitshëm. Referuar ecurisë së realizimit në vite dhe të pritshmit të vitit 2009, për vitin 2010 është parashikuar që të ardhurat nga kjo taksë të arrijnë në shumën 270.000.000 lekë, ose 8 % më shumë se viti 2009.
Taksa për zënien e hapësirave publike
Baza e taksës për zënie të hapësirave publike është sipërfaqja në m2, e cila vihet në shfrytëzim nga individë dhe subjekte për qëllime biznesi. Taksa llogaritet si detyrim mujor i taksapaguesit.
Taksa për zënien e hapësirës publike përbëhet prej:
Taksës për zënie hapësire publike me spektakle panaire;
Taksës për zënie hapësire publike me platforma, kangjella, vazo, drurë dekorativ, etj;
Taksës për zënie hapësire në tregjet publike;
Për vitin 2009 është kalkuluar dhe pritet një realizim prej 64.800.000 lekë ose 88 % e planit vjetor;
Arkëtimi për zënie hapësire publike për vendosje platforma, kangjella etj. prej DPTTV, në shumën prej 31.500.000 lekë;
Arkëtimi nga përdorimi i hapësirave në tregjet publike prej njësive bashkiake, në shumën prej 33.300.000 lekë.
Nisur nga realizimet e kësaj takse, si dhe të pritshmin e vitit 2009, për vitin 2010 është parashikuar shuma 78.000.000 lekë.
16 Janar 2010