E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agron Aliaj: Baleti është premisa ime shpirtërore e lindur

Me një karrierë 50-vjeçare si koreograf, vjen në “Albania Weekend” mjeshtri i skenës shqiptare, Agron Aliaj. “Jeta ime ishte e destinuar plotësisht t‘i dedikohej artit të bukur të baletit”, - shprehet legjenda e baletit shqiptar. Për mjeshtrin e skenës të bërit art është një dhunti ku njeriu ka aftësinë të shprehë botën dhe ndjenjat në tërë vizionin dhe labirintin e jetës njerëzore. Ky është koreografi Agron Aliaj. Për të dëshirat dhe qëllimet gjithmonë kanë qenë për të afruar në artin e kërcimit një popull të tërë duke e bërë që të jetë sa më afër zhvillimit të shijeve të shoqërisë, civilizimit dhe emancipimit që ndodhte në atë kohë. Të marrit me balet për mjeshtrin është art në vete. Vështirësitë për të s’kanë qenë të pakta, por shpeshherë ka qenë i gatshëm t’i mbizotërojë edhe censurës së kohës duke arritur që të bashkonte në skenë shfaqje kërcimi, lëvizjen, tingullin e zërit, fjalën, ngjyrën dhe emocionet që rrjedhin nga këto, për të magnetizuar të pranishmit në sallë, për të arritur të fshihte sa më shpesh që të ishte e mundur barrierën, e cila ndante interpretuesit dhe autorin me publikun. Figura e mjeshtrit të madh të valleve, krijuesit të baletit të parë shqiptar, koreografit dhe artistit Agron Aliaj, është e pasqyruar mjaft mirë për publikun artdashës. Fillimet për mjeshtrin e skenës kanë qenë shumë të bukura. Pas Luftës së Dytë Botërore brezi i asaj kohe arriti të ndërtonte ëndrra për të ngritur botën e re. Ajo ëndërr e ka nxitur për gjithë jetën. Ka qenë pjesë e një plejade që ngriti shkollën e baletit, ndërtoi teatrin, trupën e baletit, dhe kjo ishte në sajë të asaj ëndrre që në vogëli, e cila u ngulit te gjithë brezi dhe te mjeshtri i skenës Agron Aliaj. Dora e mjeshtrit të baletit ndjehet në çdo pjesë të operas; ai ka vënë në skenë një sërë veprash botërore dhe kombëtare. Vënia në skenë e veprave kombëtare për të është një devotshmëri personale, pasi veprat kombëtare janë me vlera sepse ata janë të bazuara në letërsinë e kombit tonë, të bazuara në muzikën e kompozitorëve tanë që ishin një plejadë e tërë. Baleti për të është një art i kuintesencës. Baleti përfshin dramat, poezitë, pikturën, skulpturën, pra është një kuintesencë; njeriu nëpërmjet këtyre shpreh atë që nuk mund ta shprehë dot me fjalë, e shpreh me gjestin, me plastikën e trupit, theksoi mjeshtri Aliaj gjatë intervistës.

Jeni cilësuar si mjeshtri i koreografisë shqiptare, si ndiheni?

Në karrierën time artistike, unë, përveçse kam mbaruar për balet klasik në shkollën më të mirë të botës, në Moskë, dhe krahas veprave klasike që iu jam kushtuar njëkohësisht si kërcimtar dhe pastaj si koreograf, kam punuar shumë për krijimtarinë kombëtare, veprat kombëtare. Ishte një kërkesë e kohës dhe për mendimin tim ishte pozitive, pasi u ngrit një repertor shumë i gjerë i baletit kombëtar, dhe ky balet kishte në mendim shpirtin e këtij populli, me ngjarjet e këtij populli, me muzikën e këtij populli, me atmosferën e përgjithshme të krijimit të ngjarjeve e të figurave të artistëve shqiptarë. Duke filluar që nga baleti “Delina”, “Hajria”, më vonë “Cuca e maleve”, u bënë një repertor i gjerë i baletit kombëtar. Kam pasur një sadisfaksion shumë të madh sepse kam qenë i bindur se veprat klasike vihen bukur edhe në Shqipëri duke u përqafuar nga publiku ynë. Vepra të tilla shprehin kulturën e brendshme të këtij populli. Kështu, si unë, edhe kompozitorët, koreografët, libretistët, kemi punuar dhe u jemi përkushtuar shumë pikërisht veprave kombëtare. Gjë që sot, për mendimin tim, për Teatrin e Operas dhe Baletit është lënë krejtësisht pas dore dhe unë e ndiej këtë mangësi. Prandaj, pasi vura në skenë kryeveprat e baletit botëror si “Liqenin”, “Don Kishotin”, “Arrëthyesin”, m’u desh një sforcim shumë i madh për t’i rivënë këto vepra klasike, të cilat i mungonin skenës tonë, por edhe artistëve tanë; këto vepra klasike bënë që artistët të përgatiteshin nga ana profesionale.

Para disa kohësh tronditët skenën e operas me baletin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Çfarë mund të na thoni rreth kësaj vepre?

Një devotshmëri e imja personale ka qenë që unë të krijoj vepra kombëtare të bazuara në letërsinë e kombit tonë, të bazuara në muzikën e kompozitorëve tanë, që ishte një plejadë e tillë. Të rinjtë kompozitorë duhet të marrin shembull nga puna dhe përkushtimi i tyre, të cilët ngritën anën muzikore të kombit tonë duke filluar nga Çesk Zadeja, Nikolla Zoraqi, Limoz Dizdari, Tonin Arapi dhe shumë artistë të njohur, për të cilët kam një adhurim të jashtëzakonshëm. Gjatë këtyre viteve të fundit unë i jam përkushtuar vënies në skenë të veprave kombëtare dhe jam shumë i qetë në ndërgjegjen time, pasi atë çfarë nuk munda të bëj në kohën e monizmit, sepse atëherë kishte dhe këndvështrime dhe censurë për çdo lëvizje, kam arritur t’i vë sot. Baleti “Gjenerali” pati një këndvështrim të ndryshëm, ishte një vepër shumë interesante, edhe pse ishte pas Plenumit të 11, shikoja se Nikolla Zoraqi kishte një muzikë shumë kontemporane shqiptare dhe moderne, prandaj kisha dëshirë që kjo vepër të rivihej pasi është një vepër letrare e madhërishme e Ismail Kadaresë, e muzikuar pikërisht nga Zoraqi. Kalova në kërkim të një eksperimenti shumë të madh në këtë vepër, sepse thirrëm dhe një staf francez si skenograf, koreografë, të cilët unë, me devotshmërinë dhe kërkesën time, kërkova që ata të influenconin në këndvështrimin kontemporan të vënies në skenë të kësaj vepre.

Sa vështirësi ke pasur për ta vënë në skenë veprën “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”?

“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, për të arritur atë nivel që kishte, e kam pasur tepër të vështirë sepse krahas krijimit ajo kishte lodhje, pasi janë disa gjëra, kanë njëfarë nënvlerësimi për veprat kombëtare që unë i adhuroj. I adhuroj pasi i kuptoj në thellësi vlerat e tyre, sa vlera kanë ata për kombin tonë. Koreografia botërore, si të thuash, është pasuruar me veprat e koreografisë shqiptare, të cilat nuk ngjasojnë me veprat botërore sepse kanë një këndvështrim tjetër, kanë një gjuhë tjetër, personazhe të tjerë, kanë një histori tjetër dhe jam i bindur se, në qoftë se koreografët e rinj do të kthejnë kokën nga krijimtaria kombëtare, ne kemi një folklor shumë të pasur, kemi muzikë popullore shumë të vyer; kanë mundësi të bëhen krijime me gjuhë kontemprane të tilla që dhe botën ta habisim. Jam i bindur se në qoftë se këto vepra kombëtare do të kenë këtë përkushtim që kanë pasur kompozitorët libretistë të kohës të shkuar, do të kenë një sukses shumë të madh. Ka premisa që ky popull me kaq vitalitet, me këtë histori, me kaq figura të bukura artistike të letërsisë shqipe, ata edukojnë breza të tërë duke u paraqitur karshi botës me vizionominë tonë kombëtare. Edhe pse sot unë jam larguar nga Teatri i Operas, veprat kombëtare më presin mua t’i vë në skenë.

Kërcimi i balerinëve nën tingujt e Nikolla Zoraqit vjen për herë të parë si një vepër e plotë. Çfarë mund të na thuash?

Nikolla ka një muzikë shumë të bukur dhe mbas seleksionimit që u bë nga vetë Zhani Ciko, u hoqën të gjitha motivet që viheshin atëherë që duheshin vënë, dhe u la kuintesenca e mendimit filozofik të “Gjeneralit të ushtrisë” dhe të priftit, që vijnë në këtë komb për të marrë kockat. Dhe ata, në fakt, i marrin me patetizëm këto kocka, pasi triumfi i popullit tonë, i figurave artistike, triumfojnë dhe tregojnë një forcë shumë të madhe të ideve dhe të baletit njëkohësisht. Prandaj artistët e përqafuan këtë vepër dhe me devotshmëri punuan. Pati sukses, pasi krahas shfaqjeve në Teatrin e Operas u dha edhe në Festivalin e Baletit Modern në Durrës. Pati një jehonë të kënaqshme.

Cila ka qenë periudha më e bukur gjatë karrierës tuaj artistike?

Për krijuesin është me të vërtetë një jetë e lodhshme shumë. Unë gjatë gjithë jetës kam parë vetëm në sallë; paradite sallë, mbasdite sallë, me një mund të jashtëzakonshëm, por ky mund i jashtëzakonshëm ka sjellë edhe sadisfaksion të jashtëzakonshëm. Jo një herë, por shumë herë e kam ndjerë veten mirë. Në radhë të parë e kam mbrojtur diplomën me baletin “Arrëthyesi”, ku kam luajtur rolin e princit, në një perfeksion të interpretimit simfonik të muzikës, në një perfeksion të interpretimit të baletit. Ishte një shfaqje e shkollës, ishte dhe një shfaqje e diplomës time. Ka qenë një çift shqiptar si unë dhe Zoica Haxho, ishte një lumturi e tillë që nuk ka të shlyer gjatë gjithë jetës time sepse ishte një perfeksion. Ai perfeksion që kam marrë në atë shkollë më ka shtyrë gjithë jetën që ta kërkoj këtë perfeksion dhe të them të drejtën kam pasur kënaqësi shumë të madhe kur kam vënë “Liqenin e mjellmave”, “Arrëthyesin”, “Don Kishotin” pasi me të vërtetë këto balete klasike janë të mrekullueshme.

Po më e vështira?

Kam pasur ankthe dhe ankthet më të mëdha kanë qenë ato sociale, pasi unë vij nga një familje bejlerësh të Jugut. Pavarësisht se më kanë mbrojtur dhe më kanë besuar veprat kombëtare, shpeshherë kam ndjerë edhe ngacmimin. Puna e bërë me vullnet të jashtëzakonshëm, me kualitet të jashtëzakonshëm, prandaj unë kam pasur parimin që biografinë njeriu e ndërton vetë me punën e tij. Njeriu duhet të vlerësohet për kapacitetin dhe devotshmërinë që ai ka.

Si i kujton fillimet si koreograf mjeshtri Aliaj?

Fillimet kanë qenë shumë të bukura. Pas Luftës së Dytë Botërore lindi te rinia jonë ëndrra se do të ndërtohet botën e re. Unë isha 10 vjeç atëherë dhe ajo ëndërr më ka nxitur dhe mua dhe gjithë jetën e mbaj mend si një ëndërr të bukur që po ndërtonim. Ne ndërtuam Shkollën e Baletit, ndërtuam Teatrin, ndërtuam trupën e baletit, dhe kjo ishte në sajë të asaj ëndrre që në vogëli, e cila u ngulit te gjithë brezi dhe tek unë. Duhet të dijë njeriu të ndajë ç’është diktatura, ç’është brezi që e ngriti këtë shkollë, dhe pikërisht krahas kësaj vështirësie që ka pasur nga regjimi totalitar, ka pasur njerëz që me devotshmëri kanë ndërtuar botën e re.
Më vjen keq për këta artistë që janë kaq të mënjanuar. Ata janë po aq demokratë sepse e kanë dashur Shqipërinë dhe të mirën e Shqipërisë, dhe këta nuk i përfshijnë vetëm artistët, por edhe sferat e tjera.

Cila ka qenë vepra më e vështirë?

Unë kam hasur shumë vështirësi në vënien në skenë të “Cucës maleve” ngaqë ishte një vepër pak moderne dhe atëherë nuk donin ta vinin në skenë, pasi figurat artistike ishin krijuar me forcë të tillë që dhe negativët të kishin forcë të madhe. Sidomos roli i priftit te “Cuca e maleve” ishte një forcë shumë e madhe i interpretuar nga një aktor siç ishte Albert Janku dhe solli probleme shumë të mëdha. Mirëpo e mira gjithmonë triumfon, por vështirësia ka qenë shumë e madhe. Kam hasur vështirësi në jetën time sepse kam dashur të bëj realizëm në artin koreografik. Të tillë kam pasur një numër “Kthim në liri”, i cili karakterizohej si realizëm.

Si konsiderohen veprat e baletit shqiptar për mjeshtrin e madh Aliaj?

Për mua ato janë të një rëndësie të veçantë. Edhe pse jam në një moshë të thyer, 77 vjeç, unë i bëj me devotshmëri, me kënaqësi i pres koreografët e rinj të merren me veprat kombëtare.

Sa kushtëzohej puna juaj nga diktatura?

Pa diskutim, ata artistë që kanë punuar atëherë dhe dëshirës për t’i shërbyer këtij kombi kishte dhe tutelën. Unë nuk duroj dot kur një udhëheqës bëhet një koreograf apo kompozitor; çdo njeri ka specialitetin e tij. Prandaj atëherë na e kanë kushtëzuar shumë punën, pasi vinin dhe na thoshin pse e bën kështu leksikun koreografik e shumë elemente të tjera. Prandaj ka qenë një periudhë jashtëzakonisht e vështirë. Por, për hir të dashurisë së madhe që kishim për artin, ne kemi pasur durim dhe ia kemi arritur. E di si niste një ditë pune e atëhershme? Në orën 9 isha në ushtrime, në orën 10 prova deri në 3 e 30, shkoja në shtëpi dhe pastaj pasdite në shkollë, pasi na duheshin të përgatisim elemente të reja koreografike; në orën 6 pasdite përsëri në prova dhe kjo rutinë e përditshme vazhdoi për tërë jetën, aq sa tani kam etje për atë kohë.

Si është një ditë e zakonshme larg dyerve të Operas për mjeshtrin e baletit Agron Aliaj?

Unë s’kam kohë të lirë të them të drejtën. Krahas asaj që do të ulem të lexoj, do të ulem pak në kompjuter, do të merrem me gjuhën, është dhe diçka tjetër që më ha kohë. Mbase të duket qesharake ta thuash, por unë merrem dhe me anglisht. Punoj njëkohësisht për të mbajtur veten, për të vënë në punë trurin duke incizuar baletet moderne kontemporane që të jem në gjendje t’i shijoj, të kuptoj zhvillimin e artit koreografik.

Një jetë e tërë në skenë, çfarë ju ka falur baleti?

Baleti është një art i kuintesencës. Baleti përfshin dramat, poezitë, pikturën, skulpturën, pra është një kuintesencë, njeriu nëpërmjet këtyre shpreh atë që nuk mund ta shpreh dot me fjalë, e shpreh me gjestin, me plastikën e trupit. Baleti të fal të bukurën në jetë, unë edhe sot dhe kësaj dite ngrihem dhe shikoj sa i bukur është agimi. Ëndrrën e bukur të kësaj jete që të ka dhuruar edhe kujdesin që të mos dëmtohesh, ta fal vetëm ai që quhet balet. Baleti është arti i së bukurës, i shpirtit të bukur, i shprehjes së bukur, i ndjenjave të bukura, prandaj jam shumë i kënaqur që të merrem me këtë lloj arti; siç duket ka qenë dhe premisa ime shpirtërore dhe e lindur.

Cili është mesazhi i mjeshtrit për koreografët e rinj?

Siç e thashë, baleti është dhe dramë, dhe vallëzim, dhe muzikë, dhe pikturë, dhe skulpturë, dua që koreografët e rinj të zgjerojnë kulturën e tyre. Në radhë të parë koreografët duhet të mëshirojnë dhe të dinë të diferencojnë historinë e kombit tij, folklorin e tij gojor dhe letrar. Sa më shumë kulturë të kesh, përgatitesh për të njohur se çfarë është e bukura si një kuintesence duke e gjetur shumë bukur në balet.

Cilat janë projektet që do të sjellin në skenë mjeshtrin e koreografisë shqiptare?

Tani dua të marr muzikën e Delinave Arbanit të Çesk Zadesë, që ka propozuar dhe vetë drejtori i Teatrit të Operas, Zhani Ciko, njëkohësisht kam dhe një vepër tjetër që nuk është balet, por është opera, nga Genc Tukiçi. Ka bërë një opera në Itali, e cila nuk është një ngjarje shqiptare, por ka muzikë shqiptare. Unë e dëgjova dhe do ta ndihmoj në anën koreografike. Këto dy projekte kam tani, plus që dua t’i kthehem një baleti klasik që është shumë i bukur, por do të jetë surprizë për publikun shqiptar, pasi është diçka e harruar, por për mua ka vlera të jashtëzakonshme.

16 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›