E Diel, 1 Nëntor 2026

Vështirë për Hysin

Ndeshja ndërmjet Drenicës dhe Hysit, që zhvillohet të shtunën, do ta hapë xhiron e 20-të të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll.

Nënkampionin vjeshtor, Hysin e pret një udhëtim mjaft i vështirë, pasi do të luajë si mysafir në Skenderaj ndaj Drenicës, e cila skuadër kërkon fitoren e parë në stinorin pranveror.

Njëherësh kjo do të jetë ndeshja e parë që kuqezinjtë e zhvillojnë në shtëpi në pjesën e dytë të kampionatit, pasi në dy ndeshjet e para Drenica ka luajtur si mysafire e Vëllaznimit (0:0) dhe më pas në kryeqytet ndaj Prishtinës (3:0). Andaj trajneri i kësaj skuadre, Tahir Lushtaku, thotë se ka ardhur koha që Drenica ta fitojë ndeshjen e parë në pranverë.

“Është një ndeshje e vështirë për të dyja palët. Hysi do ta ketë të vështirë sepse do të luajë ndaj ekipit tim që po lufton për mbijetesë. Kurse ne do ta kemi vështirë sepse do të luajmë kundër ekipit që synon titullin. Megjithatë, unë kam një besim të madh te lojtarët e mi dhe jam i bindur se ata do ta shfrytëzojnë përparësinë e terrenit për ta korrur fitoren e parë”, deklaroi Lushtaku për Express.

Por, kuqezinjtë do ta kenë mjaft të vështirë ta arrijnë këtë objektiv, sepse edhe Hysi kërkon fitoren e parë në këtë gjysmë-sezon. Bardhezinjtë në ndeshjen e parë të sezonit pranveror kanë luajtur baras në kryeqytet me Flamurtarin (0:0), sikurse që barazoi në xhiron e fundit në shtëpi ndaj Besës (1:1).

“Tu e pas parasysh se jemi në krye të tabelës dhe duke u barazuar në faktin se jemi të interesuar për ta fituar titullin e kampionit, atëherë kësaj ndeshje do t’i qasemi për t’i fituar pikët e plota. Do ta kemi të vështirë përballë Drenicës, e cila është në situatë të palakmueshme në tabelë, por megjithatë ne duam fitore”, ka thënë për Express trajneri i Hysit, Luan Prekazi.

Kjo ndeshje nis në orën 14:00 dhe është ndeshja e vetme e kësaj xhiroje që zhvillohet të shtunën. Kurse të dielën zhvillohen edhe pesë ndeshje tjera, në mesin e të cilave edhe takimi derbi i kësaj jave, ku Flamurtari, i cili ka rritur apetitet për të luftuar për titull, do ta pretë kampionin vjeshtor, Trepçën.

Interesant do të jetë edhe në Gjakovë, ku Vëllaznimi shumë i rrezikuar do të kërkojë fitore ndaj Prishtinës, e cila në këtë vit ka zhgënjyer. Lojë e bukur pritet të zhvillohet edhe në Prizren ndërmjet Lirisë e KEK-ut, derisa si mysafire e Ferizajt, Kosova e Vushtrrisë do ta kërkojë fitoren e tretë rresht.

Superliga – Xhiroja e 20-të
E shtunë
Drenica – Hysi
E diel
Vëllaznimi – Prishtina
Besa – Gjilani
Flamurtari – Trepça
KEK-u – Liria
Ferizaj – Kosova (V)
Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 14:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›