E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peci emërohet selektor

Bordi i Federatës së Boksit të Kosovës (FboxK) në mbledhjen e vet të mbajtur të premten pasdite e ka emëruar Xhevdet Pecin selektor të Përfaqësueses së Kosovës në boks, detyrë kjo të cilën deri më tani e kryente Mehmet Haxhani.

Lajmin e ka konfirmuar për Express sekretari i FboxK-së, Mehmet Bogujevci. Në anën tjetër, selektori i ri Xhevdet Peci beson se nën udhëheqjen e tij boksit kosovar do t’i kthehen vlerat e dikurshme, të cilat aktualisht i mungojnë.

“Plan-programi im parasheh që unë të punoj me të gjithë trajnerët kosovarë të boksit, andaj unë jam i bindur se do të kemi sukses. Jam i vendosur që t’ia kthej boksit at namin e dikurshëm, prandaj edhe jam kandiduar për selektor. Nuk kam dyshim në këtë, sepse kemi vlera të mëdha, por duhet punuar seriozisht me boksierët tanë. Shpresoj që të na ofrohen edhe kushte më të mira për punë”, deklaroi Peci për Express.

Peci deri më tani ka qenë drejtor i Përfaqësueses së Kosovës në boks. Ish boksieri i famshëm kosovar kundër-kandidat për këtë post e kishte trajnerin e klubit të boksit Drita, Musli Zyberin.

Përpos Pecit e Zyberit, interesim për këtë post kishin shprehur edhe Ahmet Shala, Mehmet Haxhani dhe Shefki Bogujevci, por të tre këta janë kandiduar vetëm gojarisht, andaj asnjëri prej këtyre nuk është marr parasysh në mbledhjen e Bordit të FboxK-së.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›