E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vështirë për Vëllaznimin

Kandidatin për titull të kampionit, Vëllaznimin të dielën e pret një sfidë e vështirë, pasi do të udhëtojë drejt Gjilanit për t’u ballafaquar me Dritën. Gjilanasit synojnë ta shfrytëzojnë përkrahjen e madhe të tifozëve të tyre dhe t’ua shkaktojnë gjakovarëve humbjen e parë në këtë stinor. Megjithatë, edhe kuqezinjtë do të përpiqen që në Gjakovë të kthehen si triumfues. Nga Valon Konushevci më 11 shtator 2011 në ora 12:27

Ndeshja derbi e xhiros së katërt e Superligës së Kosovës në futboll do të zhvillohet të dielën në Gjilan ndërmjet Dritës dhe Vëllaznimit, skuadra këto me traditë në futbollin kosovar.

Të dyja këto ekipe e kanë nisur shumë mirë sezonin e ri, ngase prej tri xhirove të zhvilluara deri më tani, i kanë shënuar nga dy fitore, derisa nga një herë kanë luajtur baras. Andaj, gjilanasit e gjakovarët, bashkë me Prishtinën, me bilanc të njëjtë të pikëve i ndajnë tri pozitat e para të renditjes tabelore.

Mirëpo, e rikthyera me përforcime në Superligë, Drita synon që të dielën ta shfrytëzojë maksimalisht përkrahjen e madhe që pritet ta ketë nga ana e tifozëve të saj ‘Intelektualëve’ dhe t’ia shkaktojë Vëllaznimit humbjen e parë në këtë stinor. Kështu thotë mesfushori i ekipit gjilanas, Visar Sërmaxhaj.

“Loja me Vëllaznimin do të jetë shumë interesante, kur dihet se Vëllaznimi ka futbollistë shumë cilësorë dhe është kandidat për titull të kampionit. Por, edhe ne me ekipin që kemi shpresojmë që t’i kënaqim tifozët tanë të flaktë me lojë të mirë edhe me tri pikë”, ka thënë Sërmaxhaj.

Mirëpo, bardhekaltrit nuk do ta kenë lehtë ta arrijnë këtë objektiv, pasi përballë do ta kenë skuadrën nga Gjakova, e cila pas përforcimeve të bëra është e përkushtuar që deri në fund të kampionatit denjësisht të luftojë për titull të kampionit.

Andaj, kuqezinjtë – të cilët pritet të kenë përkrahjen e tifozëve të tyre ‘Kuqezinjtë e Jakovës’ edhe në Gjilan – thonë se fitorja është objektivi i tyre në duel me gjilanasit.

“Duhet të shkojmë dhe të marrim pikë, sepse mendoj që kemi një ekip mjaft të mirë. Por, nuk duhet harruar se edhe Drita ka një ekip mjaft cilësor dhe ende nuk ka pësuar humbje sikurse ne. Andaj ky takim do të jetë shumë interesant”, tha kapiteni i gjakovarëve, Atdhe Gashi.

Ndeshje tjetër interesante do të zhvillohet po të dielën në kryeqytet, ku Prishtina synon fitoren e tretë rresht përballë Trepçës, e cila mirë e ka nisur sezonin e ri. Ndërkohë, në Mitrovicë Trepça ’89 do të përpiqet tu kthehet fitoreve në duel me Gjilanin.

Superliga – Xhiroja e 4-të
E diel
Drita – Vëllaznimi
Trepça 89 – Gjilani
Prishtina – Trepça
Të tria ndeshjet fillojnë në orën 16:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›