E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vështirë për grevistët

Nga Express më 06 qershor 2011 në ora 19:15

Një numër i madh i grevistëve të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së edhe në ditën e pesëmbëdhjetë vazhduan grevën përpara objektit të Qeverisë, gjersa gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar për shkak të temperaturave të larta.

Por, numri i grevistëve po rritet dhe tash para Qeverisë janë shtatë tenda me grevistë.

“Gjendja e grevistëve është vazhdimisht duke u vështirësuar dhe gjendja e tyre fizike po rrënohet vazhdimisht”, tha për Kosovapress anëtari i Këshillit, Ylber Selmani. Sipas tij, greva e urisë po vazhdon por jo me të njëjtit persona që kanë qenë në fillim, pasi që çdo tri ditë po i ndërrojnë nga një ose dy grevistë.

Selmani tregon se deri tash nuk janë vizituar nga përfaqësuesit e Qeverisë.

“Vizitat e qeveritarëve janë herët të bëhen, sepse edhe një vit e gjysmë nuk ka zgjedhje. Ata vijnë të na vizitojnë nëpër shtëpi e oda vetëm atëherë kur ne iu duhemi, vetëm atëherë kur ka fushata zgjedhore”.

Duke folur për vizitën e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, Selmani theksoi se ai ishte shumë qesharak.

“Tha që ligji do vjen, edhe ishte shumë qesharak, sepse ishte shumë i ftohtë në prononcimin që e dha, më shkurt e trup, veç që nuk tha shkoni në shtëpi se nuk ka asgjë prej kësaj pune”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›