E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vështirësohet viza për studentët në Britani



Edhe studentët do ta kenë më të vështirë për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar. Pas amendimit të fundit të ligjit britanik mbi emigracionin e ligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar, edhe për studentët është vështirësuar marrja e vizës së studimit për në Britaninë e Madhe, duke shtuar procedurat dhe kriteret për të gjithë ata që duan të vijojnë studimet në Britani.

Ndërkohë, procedurat janë zgjatur edhe për kolegjet dhe universitetet britanike, të cilat tashmë do të duhet të plotësojnë kritere të veçanta për të pranuar studentë të huaj, domethënë studentë që nuk janë qytetarë të Bashkimit Evropian.

Kjo do të ndodhë me fillimin e vitit 2009, kur në Britani do të nisë sistemi i pikëve për pranimin e emigrantëve, qofshin këta emigrantë ekonomikë apo studentë. Vizat do të vijojnë të jepen në ambasada në afatin e paracaktuar, por dosja që duhet të dorëzojë aplikanti do të jetë më e madhe.

Kriteret

Kriteret që do të duhet të plotësojnë aplikantët për studentë janë shtuar. Në këtë mënyrë përveç kritereve ekzistuese, një aplikant për student do të duhet të ketë një depozitë të majme bankare në vendin e tij të origjinës, si edhe të përfitojë bursë nga një universitet britanik. Deri përpara këtij ndryshimi, studentët mjaftoheshin duke pasur një prej këtyre dy kritereve.

Sakaq, një kriter tjetër është cilësuar si diskriminues nga organizatat jofitimprurëse të Britanisë së Madhe. Sipas këtij kriteri, aplikanti, jo vetëm që duhet të fitojë në konkursin e pranimit në universitet, por duhet të ketë edhe arritje të mëparshme akademike. Kriteri i dytë nuk zbatohet për vendasit, dhe kjo ka bërë organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në mbretërinë ishullore, që ta quajnë këtë vendim si një akt diskriminues ndaj shtetasve të huaj dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut.

Në total, kriteret që do të duhet të plotësojë një aplikant për student do të jenë: të jetë sponsorizuar nga një kolegj apo universitet britanik i licencuar për pranimin e studentëve të huaj, të ketë një kartë identiteti, aftësi të dëshmuara akademike, të ketë siguri financiare, si edhe të aplikojë dhe të pranohet në një prej kurseve të universitetit që do ta sponsorizojë.

Vështirësi edhe për universitetet britanike

Universitetet dhe kolegjet britanike do të kenë edhe ato disa pengesa në pranimin e studentëve të huaj. Sipas ligjit të ri, që është një ndërhyrje në sistemin universitar britanik, kolegjet dhe universitetet duhet të raportojnë mbi studentët që mungojnë në orët e mësimit, si edhe të marrin një licencë të posaçme që do t`u lejojë të pranojnë studentë nga vende jashtë Bashkimit Evropian.

Këto ndryshime janë cilësuar nga organizatat jofitimprurëse si të paprecedenta, pasi të huajt duhet të kenë të njëjtat të drejta me britanikët në arsimim, për aq sa fitojnë të drejtën e studimit në universitetet e Mbretërisë së Bashkuar. Por ministri përkatës i qeverisë Braun, Liam Brin, ka cilësuar ndryshimet si të domosdoshme dhe si masa për të zhdukur ndikimin negativ të emigracionit në ekonominë dhe shoqërinë britanike.

Më shpejt leja e qëndrimit

Por një lajm i mirë vjen nga ky amendim, i cili do të shërbejë për të thjeshtuar marrjen e lejes së qëndrimit nga studentët, jo vetëm gjatë viteve të universitetit, por edhe pasi e kanë mbaruar atë. Në këtë mënyrë, një student që do të përfundojë shkollën në Britaninë e Madhe, do të ketë mundësi të qëndrojë në këtë vend, vetëm duke siguruar një vend pune, sipas amendimit të ri.

E për këtë ndryshim është nevojitur një statistikë ekonomike, sipas të cilës studentët e huaj i japin Mbretërisë së Bashkuar 8.3 milionë sterlina, një shifër që i nevojitet vendit britanik. Vitin e kaluar Britania e Madhe miratoi një ligj për vështirësimin e emigracionit, përfshi këtu edhe atë të studentëve, edhe pse u kritikua ashpër nga një pjesë e shoqërisë civile. Në Britani ka dhjetëra studentë shqiptarë të organizuar në Rrjetin e Studentëve Shqiptarë të Britanisë së Madhe.

Aplikimi për viza në Britani, ku duhet të keni kujdes

Në shumë raste aplikantët e humbasin të drejtën e marrjes së vizës britanike, vetëm pse nuk kanë informacionin e duhur mbi plotësimin e formularit dhe e plotësojnë atë me shpejtësi. Gabimet më të shpeshta që ndodhin janë në pyetjet “kleçkë”, që ekzistojnë në formular dhe ato të nxitimit të aplikantëve.

Një nga gabimet që ndodh më rëndom është ai mbi pyetjen se cila është gjendja familjare e aplikantit. Zakonisht, aplikanti përgjigjet vetëm me një “beqar”, “i martuar” ose “i divorcuar”, por në këtë rast ambasada mund të hedhë poshtë kërkesën duke e cilësuar si të paplotë informacionin. Në raste të tilla juristët këshillojnë që në dokumentet e përfshira të jetë edhe një certifikatë familjare, që ndonëse nuk kërkohet nga ambasada, shpëton aplikantin nga kërkesat shtesë.

Gabimi i dytë më i shpeshtë është plotësimi i gabuar i arsyes së vizitës. Nëse një aplikant për student çekon “vizë turistike”, edhe pse ai mund të shkojë për të kryer testin paraprak, atëherë shanset e tij për ta marrë vizën janë të pakta.

Por, gabimet e shpejtësisë janë ato që krijojnë më shumë telashe. Në pyetjen se sa keni ndërmend të shpenzoni në Britani është edhe “kleçka” më e madhe e formularit. Në rast se dikush shkruan se do të shpenzojë 5 mijë sterlina, kur rroga e tij vjetore nuk shkon më shumë se 12 milionë lekë të vjetra, atëherë ambasada do ta refuzojë. Zakonisht kërkohet që aplikanti të përcaktojë si shpenzime vetëm 20 për qind të pagës vjetore, për një periudhë njëmujore qëndrimi në Britani.

Por ka edhe raste kur në aplikimet për studim, aplikantët kërkojnë në internet dhe regjistrohen në të gjitha kolegjet dhe universitetet e mundshme, pa kontrolluar më parë nëse universiteti në fjalë është i akredituar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›