Pranimet në master; Kriteret në dorë të departamenteve, nota mesatare një prej tyre
Pranimet në sistemin master do të përcaktohen nga vetë departamentet që do të zhvillojnë studimet e ciklit të dytë dhe jo nga ministria, sikurse ndodh me pranimet në ciklin e parë. Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit përcakton se i vetmi kriter i pashmangshëm do të jetë që studenti të ketë përfunduar sistemin paraardhës dhe se përzgjedhja e mëtejshme do të jetë në dorë të tyre. Ndërkaq, ekuivalentimi i diplomave do të kryhet nga universitetet dhe jo nga ministria, siç ka ndodhur deri tani.
Në të njëjtën kohë, burime nga disa departamente të Universitetit të Tiranës bëjnë të ditur se mesatarja do të jetë një ndër këto kritere, por nuk është përcaktuar ende forma e këtij kriteri. Mundësia më e madhe është që mesatarja të jetë e luhatshme, pra të pranohen të gjithë aplikantët me mesatare më të mirë deri në plotësimin e kuotave, pavarësisht notës që do të kenë.
Udhëzimi
Në këtë udhëzim të ministrisë përcaktohet se të gjitha kriteret do të përcaktohen nga departamentet me këshillimin e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës.
“Për t’u pranuar në një program studimi të ciklit të dytë, kandidati duhet të zotërojë diplomë të nivelit të parë ose diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar ekuivalente me të. Institucionet publike të arsimit të lartë përcaktojnë në rregulloret mësimore përkatëse kritere specifike për pranimin e studentëve në çdo program studimi të ciklit të dytë, që lidhen me drejtimin e formimit të tyre në ciklin e parë dhe kualitetin e përgatitjes individuale të studentëve, bazuar dhe në rekomandimet e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës. Këto kritere specifike bëhen publike para fillimit të pranimeve tё radhës në institucion” – përcaktohet në udhëzimin e ministrisë.
Konkurrimi me dosje
Një prej formave që mendohet të aplikohet në vend të mesatares, është konkurrimi me dosje. Burime nga departamentet pohojnë se kjo formë, që sot përdoret në shumë programe master ekzistuese pritet të zgjerohet në të gjitha degët. Në këtë mënyrë disa shkolla do t`i zhvillojnë konkurrimet me anë të dosjeve që paraqesin kandidatët, në të cilat përfshihen rekomandime, jetëshkrimi, formular i përgatitur dhe një ese e shkurtër, ku do të paraqesin arritjet e tyre të deritanishme në fushat ku do të konkurrojnë, si planin praktik edhe në atë akademik.
Specialistët thonë se në rast se aplikantët për master do të jenë më pak se kuotat e miratuara, atëherë ka gjasa që të gjithë të përfshihen, pavarësisht kërkesave specifike.
Gjithsesi, në shumicën e shkollave pasuniversitare kërkohet certifikatë e mbrojtjes së gjuhës angleze, pasi në shumë prej tyre mësimi zhvillohet edhe nga pedagogë të huaj. Specialistët tregojnë se diploma e nivelit të parë që ka studenti duhet të jetë në një profil të përafërt me shkollën ku aplikon. Kështu, për Studime Evropiane, duhet medoemos një diplomë e fushës shoqërore, përfshi këtu edhe ekonominë.
Nga ana tjetër, edhe konkurset e pranimit kanë specifikat e tyre
Ekuivalentimi i diplomave, nga universitetet
Veçoria që përcaktohet në udhëzim është ekuivalentimi i titujve shkencorë. Në ndryshim nga vitet e kaluara ku ekuivalentimi bëhej nga ministria, këtë vit e në vijim ajo do të bëhet drejtpërdrejt nga universitetet.
“Ekuivalentimi i titujve të studimit të fituar jashtë vendit, me qëllim pranimin në programet e ndryshme të studimit të ciklit të dytë dhe të tretë, bëhet nga institucionet e arsimit të lartë, duke respektuar aktet ligjore e nënligjore në fuqi, si dhe marrëveshjet ndërkombëtare” – përcaktohet në udhëzim.
Këtë vit akademik do të nis masivizimi i ciklit të dytë të universiteteve, pasi pritet të hapen dhjetëra programe master.
OSBE
Pajisje kompjuterike në spitalin e Shkodrës
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhuroi të premten disa pajisje kompjuterike për spitalin rajonal të Shkodrës, të cilat do të shërbejnë për të siguruar informacion të rëndësishëm për publikun, por edhe për rritjen e shkallës së transparencës në dhënien e shërbimeve mjekësore
Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch, i pranishëm në ceremoninë e dhurimit të këtyre pajisjeve, tha se "stafi aktual i spitalit është ndeshur me shumë sfida kohët e fundit dhe unë kam besim se pajisjet e dhëna sot do të kontribuojnë në përmirësimin e shërbimit në këtë spital të rëndësishëm".
Sipas tij, një nga çështjet kryesore të sigurisë për qytetarët është mundësia për të pasur shërbime të kënaqshme në spitalin e qarkut të Shkodrës dhe për këtë arsye një pjesë e punës së Prezencës së OSBE-së është përqendruar në ndihmesën ndaj spitalit.
Prezenca e OSBE-së ka dhënë ndihma edhe për Policinë e Shkodrës në përpjekjet e kësaj të fundit për të zbatuar ligjin e për të ruajtur rendin, si dhe për të rritur në përgjithësi nivelin e sigurisë publike.
ISKSH
Udhëzues klinikë për spitalet
Udhëzuesit e parë klinikë për mjekët do të pasohen edhe me të tjerë për të krijuar një panoramë më të plotë, gjë që do të sjellë një transparencë më të madhe në sistemin shëndetësor. "Kjo bën të mundur që mjekët të kontrollohen më mirë për performancën e tyre në dhënien e diagnozave", thanë burime nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.
Udhëzuesit e parë klinikë për mjekët janë hartuar dhe prezantuar tashmë nga ISKSH, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore. Ato kanë të bëjnë me sëmundje shumë të përhapura si, hipertensioni, aksidentet vaskulare cerebrale, diabeti Tipi 2, anemia në insuficencën renale kronike, si dhe udhëzuesi për mjekët e familjes. Në këtë të fundit përfshihen 8 diagnoza, të cilat janë pneumonia tek adultet, astma, infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, urtikaria, angioedema, sëmundjet seksualisht të transmetueshme, insuficenca e zemrës dhe anemitë.
Pesë udhëzuesit e mirëfilltë për pesë diagnoza nga më të rëndësishmet dhe që kanë edhe barrën më të madhe të shpenzimeve në skemën e rimbursimit, dalin për herë të parë në Shqipëri, ndërkohë qe synimi primar është ndihma dhe mbrojtja e pacientit. Një tjetër ndihmë e këtyre udhëzuesve të parë lidhet dhe me përllogaritjen e kostove. Mjekët janë pajisur tashmë me botimet e pesë udhëzuesve klinikë, nëpërmjet të cilëve do të kenë mundësi të konsultohen edhe me metodat e reja bashkëkohore të trajtimit të sëmundjeve.