Fakulteti i dytë, kushtet që duhet të plotësoni
Regjistrimet për fakultet të dytë do të zhvillohen brenda muajit shtator, përpara regjistrimit të maturantëve
Për të gjithë mbajtësit e një diplome universitare që kanë dëshirë të vazhdojnë një fakultet të dytë, si në sistemin me kohë të plotë edhe në atë me kohë të pjesshme, kriteret për të vazhduar një fakultet të dytë do të jenë të njëjta si një vit më parë, ndërkohë që çmimet janë përcaktuar me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave e janë më të kripura se vitin e kaluar.
Të diplomuarit që kanë dëshirë të vazhdojnë një shkollë të dytë mund ta bëjnë këtë pa asnjë pengesë, në secilëndo shkollë që dëshirojnë. Në ndryshim nga sistemi i masterit, ku studimet e ciklit të dytë duhet të kenë lidhje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me studimet e nivelit të parë, për të diplomuarit që duan të vazhdojnë një shkollë të dytë universitare, nuk ka asnjë privim.
Kriteret
I vetmi kriter për studentët që dëshirojnë të vazhdojnë një fakultet të dytë është që të kenë mbaruar fakultetin e parë, ose të jenë në vit të fundit të tij dhe të aplikojnë për shkollë të lartë me kohë të pjesshme. Renditja e fituesve, që do të bëhet nga vetë universitetet, do të marrë për bazë notën mesatare që kanë të diplomuarit në shkollën e tyre të mëparshme, në rast se aplikantët janë më shumë se kuotat e miratuara, për secilën degë të universiteteve publike.
Për të fituar sërish statusin e studentit, aplikuesit duhet të dorëzojnë diplomën e noterizuar të shkollës paraardhëse, ose vërtetimin e shkollës ku vazhdojnë studimet, në rast se kanë dëshirë të kryejnë studime me kohë të shkurtuar. Dokumente të tjera të nevojshme janë dokumenti i identifikimit, që mund të jetë certifikatë me fotografi, ose fotokopje e noterizuar e pasaportës, dy fotografi me përmasa pasaporte, fletë-arkëtimi i regjistrimit, i cili duhet tërhequr nga banka dhe dëshmia e penalitetit.
Kuotat dhe tarifat
Kuotat për një universitet të dytë janë të limituara dhe përbëjnë më pak se 1 për qind të numrit total të studentëve. Ato janë kryesisht të përqendruara në tre universitetet e kryeqytetit, në atë të Tiranës, Universitetin Politeknik dhe Universitetin Bujqësor.
Studimet e dyta kanë një kuotë të caktuar studentësh dhe kryhen në dy mënyra. Të gjithë studentët që kanë përfunduar shkollën e mëparshme, ose vitin e mëparshëm me dhjeta nuk do të paguajnë tarifë shkollimi, pasi për ta ofrohet bursë.
Ndërsa të gjithë të tjerët do të duhet të depozitojnë në arkën e universitetit ku aplikojnë shumën e majme prej dy milionë lekësh të vjetra në vit. Konkurrimi i studentëve, në rast se ata i tejkalojnë mundësitë materiale të universitetit, zhvillohet me anë të dosjeve dhe intervistave.
Datat e pranimit nuk janë përcaktuar ende, por ato pritet që të jenë brenda muajit shtator, përpara se të nisë regjistrimi për në shkollat e larta nga ata që do të bëhen studentë për herë të parë. Burime bëjnë të ditur se në mes të shtatorit do të përfundojnë regjistrimet, të cilat do të kenë një afat njëjavor. Ndërkohë, komisionet e pranimit do të shpallin fituesit brenda datës 20 shtator e më pas të gjithë do të kenë mundësinë për t’u regjistruar. Duhet theksuar se në vitet e kaluara, në asnjë rast nuk janë kaluar kuotat e parashikuara për këtë kategori.