Vestervelle harta e Ballkanit eshte realizuar perfundimisht
Kreu i diplomacisë gjermane, Guido Vestervelle deklaroi se Gjermania mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës dhe proceset integruese të saj.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, pas një takimi që zhvilluan në ambientet e Kryeministrisë.Ministri i Jashtëm, gjerman, Guido Vestervelle ka ritheksuar se nuk ka ndryshim të kufijve në Ballkan dhe sipas tij për Gjermaninë kjo është e qartë.
Në pyetjen nëse Serbia do të kushtëzohet me njohjen e Kosovës për anëtarësim në BE, Vestervelle ka deklaruar se secili vend duhet të negociojë për anëtarësim, por ka shtuar se njëra nga pikat që duhet të diskutohet për anëtarësim është edhe çështja e kufijve.
E në këtë prizëm, sipas tij, harta e Ballkanit është realizuar përfundimisht. Ai vlerësoi se konfliktet dhe përleshjet në baza etnike nuk përkojnë me kohën evropiane dhe shprehu qëndrimin se është e rëndësishme që procesi i dialogut të rifillojë sa më shpejt që është e mundur.
Sipas tij, të gjitha çështjet e mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen në kuadër të zgjidhjeve politike e ekonomike.
Ministri gjerman ka kërkuar nga 5 vendet e BE-së që ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe ka theksuar se shteti i tij ka lobuar dhe po lobon për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Ndërsa kryeministri Thaçi ka ritheksuar se zhvillimet e fundit, që kanë ndodhur në veri, kanë qenë të domosdoshme dhe të ligjshme.
Kryediplomati gjerman, që ndodhet për vizitë në Kosovë, në kuadër të turit të tij në disa nga vendet e Ballkanit, pas vizitës që i bëri Kroacisë e Malit të Zi, paraprakisht zhvilloi një takim me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.