E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përbindëshi ende ekziston

VOLTERI

Pyetje të tjera

Unë e di se, ndonjëherë, njerëzit janë të sëmurë nga trutë. Kemi pasur një muzikant që vdiq i çmendur, sepse muzika e tij nuk dukej mjaft e mirë. Disa njerëz kanë besuar se kanë patur një hundë prej qelqi, po sikur të kishte njerëz aq të krisur sa të mendonin, për shembull, se kanë gjithnjë të drejtë, a do të kishte mjaft melhem për një sëmundje kaq të çuditshme?
Dhe nëse këta të sëmurë, për të pohuar se kanë gjithmonë të drejtë, do të kërcënonin me vdekje këdo që mendon se gabohet, nëse do të paguanin spiunë për të zbuluar kundravajtësit, nëse do të vendosnin se babai sipas dëshmisë së të birit, dhe nëna sipas dëshmisë të së bijës, duhet të digjen në zjarr, etj, a nuk duhet t’i lidhnim këta njerëz dhe t’i trajtonim si të tërbuar?

Padija

Po më pyesni se sa vlen gjithë ky predikim, nëse njeriu nuk është i lirë?
Para së gjithash, unë nuk ju kam thënë aspak se njeriu nuk është i lirë; ju kam thënë se liria e tij qëndron në aftësinë për të vepruar, dhe jo në fuqinë kimerike për të dashur të duam.
Veç kësaj, do t’ju them se, edhe sikur çdo gjë të ishte e caktuar nga natyra, Providenca e përjetshme do të më kishte paracaktuar t’i shkruaja këto fantazira dhe do të kishte paracaktuar pesë apo gjashtë lexues, që do të përfitonin prej tyre, dhe pesë apo gjashtë të tjerë që do t’i përçmonin dhe do t’i hidhnin ato në morinë e madhe të shkrimeve të padobishme.
Nëse ju më thoni se nuk ju kam mësuar asgjë, mos harroni se e kam shpallur veten si të paditur.

Më keq se padija

Ndër të tjera, pashë se për ç’marrëzi të pakuptueshme njerëzit janë ngritur kundër njëri-tjetrit, janë urryer, përndjekur, therur, varur, pashë se për ç’marrëzi të pakuptueshme njerëzit janë torturuar e djegur, dhe thashë:
“Nëse do të kishte pasur një njeri të mençur në atë kohë të tmerrshme, do të kishte mjaftuar që ky njeri të jetonte dhe të vdiste në shkretëtirë.”

Fillimi i arsyes

Po shoh se sot, në këtë shekull që është agimi i arsyes, ndonjë kokë e asaj hidre të fanatizmit shfaqet sërish. Duket se helmi i saj shkakton më pak vdekje, ndërsa grykët e saj janë më pak të pangopura. Gjaku nuk është derdhur për mëshirën e paqendrueshme, sikurse rrodhi për një kohë aq të gjatë për indulgjencat plenare që shiteshin në treg; por përbindëshi ekziston ende; kushdo që do të kërkojë të vërtetën, do të rrezikojë të përndiqet.
A duhet të qëndrojmë duarkryq në errësirë? Apo duhet të ngremë një pishtar, ku zilia dhe shpifja do të ndezin rishtas urët e tyre?
Sa për mua, besoj se e vërteta nuk duhet të fshihet më përpara këtyre përbindëshave, se nuk duhet të heqim dorë nga të ngrënët, nga frika se mos helmohemi.

10 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›