Nëse shpëton lëkurën tënde
Është e lehtë t’i fyesh njerëzit kështu, ndërsa është e vështirë dhe ndoshta e pamundur t’i korrigjosh. Kur marrëzitë e një diskutimi që jemi duke dëgjuar, fillojnë të na bezdisin, na leverdis të mendojmë se bëhet fjalë për një skenë komedie, ku recitojnë dy të çmendur. Probatum est (është e gjetur). Kush ka ardhur në botë me qëllimin serioz për të edukuar njerëzit në çështjet më të rëndësishme, mund të quhet me fat nëse shpëton lëkurën e vet.
Artur SHOPENHAUER
Fyerja, që në fakt ka të bëjë vetëm me një shprehje mosvlerësimi, do të na cënonte shumë më pak sikur, nga njëra anë, të mos ushqenim një opinion tërësisht të tepruar dhe një krenari po aq të pamatë për vlerat e dinjitetin tonë dhe, nga ana tjetër, nëse do të krijonim një koncept të qartë të asaj që, si rregull, secili mendon dhe ndien për të tjerët në thellësinë e zemrës së vet.
Çfarë mospajtimi i dukshëm qëndron përgjithësisht në mes të ndjeshmërisë që njerëzit tregojnë, sapo i kritikojmë qoftë edhe shkarazi, dhe asaj çka thuhet për ne, nëse do të na binin në vesh bisedat e bëra nga të njohurit tanë lidhur me këtë!
Duhet të kemi gjithnjë parasysh faktin se, zakonisht, mirësjellja nuk është veçse një maskë që ngërdheshet dhe nuk duhet të bërtasim, nëse kjo na hiqet për një çast. Kush është i poshtër, në fund të fundit, nuk bën tjetër veçse heq maskën dhe shfaqet sa më natyrshëm, ashtu siç është. Natyrisht, në këto kushte duket i përçmueshëm, sikurse shumica e njerëzve.
Nuk mund të merret askush si model për sjelljen vetjake, meqë rrethanat dhe marrëdhëniet nuk janë kurrë të njëllojta dhe dallimet e karakterit i japin një ngjyrim të ndryshëm edhe veprimit: “Kur dy njerëz bëjnë të njëjtën gjë, nuk do të thotë se janë të njëjtë.” Duhet të veprojmë sipas karakterit tonë, pas një arsyetimi të matur dhe një gjykimi të hollë. Edhe në praktikë, origjinaliteti është i pashmangshëm, ndryshe ajo që do të bënim, nuk do të përputhej me atë çka jemi.
Mos kundërshto kurrë opinionin e dikujt, duke menduar se nëse duam ta bindim për të gjitha broçkullat që beson, mund të arrijmë në moshën e Matuzalemit, pa përfunduar asgjë. Duhet ta mbajmë veten, madje edhe kur llomotisim, nga bërja e çdo vëzhgimi korrigjues, edhe pse me qëllim të mirë.
Është e lehtë t’i fyesh njerëzit kështu, ndërsa është e vështirë dhe ndoshta e pamundur t’i korrigjosh. Kur marrëzitë e një diskutimi që jemi duke dëgjuar, fillojnë të na bezdisin, na leverdis të mendojmë se bëhet fjalë për një skenë komedie, ku recitojnë dy të çmendur. Probatum est (është e gjetur). Kush ka ardhur në botë me qëllimin serioz për të edukuar njerëzit në çështjet më të rëndësishme, mund të quhet me fat nëse shpëton lëkurën e vet.
Kush kërkon që t’i dëgjohet një mendim, duhet të flasë ftohtë dhe pa pasione. Vrulli buron nga vullneti, prandaj edhe gjykimi do t’i bashkëngjitet vullnetit dhe jo njohjes, natyra e së cilës është e ftohtë. E duke qenë se te njerëzit vullneti është thelbësor, kurse njohja dytësore, do të parapëlqehet të mendohet se gjykimi vjen nga nxitja e vullnetit, meqë duket më pak e mundshme që nxitja e vullnetit të jetë shkaktuar nga gjykimi i pastër.
Nuk duhet ta lëmë veten në krahët e vetëmburrjes, edhe kur kemi të drejtë. Vërtet, nëse të krenohesh është një gjë mjaft e zakonshme, merita është kaq e pazakontë, saqë, kur dikush fillon të lëvdojë vetveten – qoftë edhe shkarazi – gjithsekush është duke lënë mënjanë anën qesharake të çështjes, do të vërë bast se jemi duke u mburrur. Megjithatë, nuk e ka pasur keq Bakoni kur ka thënë, jo vetëm lidhur me shpifjen, por edhe me lëvdatat që i bëjmë vetvetes: “kini gjithmonë ndonjë mëdyshje”, duke e këshilluar këtë, megjithëse në doza të vogla.
Kur dyshojmë se dikush gënjen, duhet të hiqemi sikur e besojmë; ai do të trimërohet, do të gënjejë më shumë dhe do të demaskohet.
Ndërsa, nëse e dimë që ai do të fshehë pjesërisht një të vërtetë, duhet të tregohemi mosbesues. I nxitur nga kundërshtia, ai do ta shtyjë përpara gjithë prapavijën e së vërtetës.
Përktheu Erion Kristo
10 Mars 2008