E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, siguria e ushqimeve lë për të dëshiruar

Drejtori Beshi: Ka thertore e baxho që janë në gjendje skandaloze. Veterinerët nuk bëjnë punën e tyre siç duhet
SHKODËR- Siguria ushqimore në qarkun e Shkodrës nuk është në parametrat e duhur dhe cilësia e ushqimeve lë mjaft për dëshiruar. Dhe pse ky fakt është i njohur nga konsumatorët, këtë here pohimi vjen nga drejtori i drejtorisë së bujqësisë, ushqimit dhe mbrojtjes së konsumatorit në qarkun e Shkodrës, Guri Beshi. Gjatë analizës së punës së këtij institucioni për vitin 2007, Beshi ka theksuar se situata e kontrollit të disa prej produkteve ushqimore është e rëndë. Për këtë ai ka fajësuar ineficencën e sektorit veterinar ku janë 20 veterinerë që sipas tij nuk e justifikojnë punën e tyre dhe kanë për detyrë të kontrollojnë e monitorojnë një kategori ushqimesh. "Ky sektor nuk ka bërë kontrollet e duhura e të vazhdueshme në subjektet që prodhojnë produkte ushqimore dhe në drejtim të sigurisë ushqimore është punuar dobët. Ndonëse për sigurinë ushqimore kanë përgjegjësi dhe institucione të tjera, ka thertore, baxho etj, që janë në gjendje skandaloze dhe situata në to ndiqet me fushata. Rastet e gjobave dhe mbylljes së aktivitetit janë të pakta",- ka theksuar Beshi. Ai ka përmendur faktin se në komunitet qarkullon mendimi se ekziston mafia e ushqimit, ndërsa përveç ushqimeve të skaduara mungon dhe trajnimi i njerëzve që punojnë me to. Gjithashtu ai ka shtuar se ka pasur ankesa për licencat, të cilat thuhet se jepen në favor të prodhuesve. "Gjatë vitit 2007, ka shtuar ai është rritur me 20% shitja e prodhimeve të vendit, ndërsa auditimet e bëra nuk kanë nxjerrë shkelje në këtë institucion".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›