Vetëhelmohet me bar miu infermieria
Një infermiere e spitalit Rajonal të Durrësit i ka dhënë fund jetës në rrethana tragjike. Policia e qytetit bën me dije se Liliana Lorja, 45 vjeçe, ka ndërruar jetë pasi ka pirë një dozë fatale të helmit fostoksinë, i cili përdoret kundër minjve. Infermierja, nëna e dy fëmijëve, është dërguar me urgjencë në spital rreth orës 12:00 të së martës. Ajo banonte në lagjen 18 të Durrësit dhe transportimi është bërë me shpejtësi në spitalin pak metra larg, sapo familjarët kanë parë gjendjen e rëndë të saj. Ndonëse ndërhyrja e mjekëve u realizua në një kohë rekord, mbidoza e helmit të asimiluar nga trupi e kishte bërë situatën tepër kritike dhe të rrezikshme për jetën. Teksa e kanë parë veten të pafuqishëm për ta shpëtuar Lorjen, kolegët e Durrësit e transportojnë me urgjencë në spitalin ushtarak të Tiranës, me shpresën se aty do të bëhet diçka më e mirë. Por, gjatë orëve të pasdites, Lorja ka mbërritur me pulsin zero në kryeqytet, ku pavarësisht përpjekjeve të mëdha të bluzave të bardha, ajo ka gjetur vdekjen. Sasia e helmit kundër minjve mësohet se ka qenë e madhe, pasi ka depërtuar në organizëm, pa dhënë asnjë mundësi shpëtimi. Sipas policisë, 45-vjeçarja është vetëhelmuar në kushtet e një tronditje të thellë psikike. Por hetuesit nuk kanë zbardhur ende shkaqet e tragjedisë familjare. Ndaj, për të çuar deri në fund hetimet u kryen veprimet e para hetimore për këtë ngjarje dhe materialet e përgatitura do t’i kalojnë së shpejti Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale “shkaktimi i vetëvrasjes”, e parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal. Policia e komisariatit të qytetit mori në pyetje familjarët e saj, por ndonëse në gjendjen e tronditjes që kishin pësuar nga kjo ngjarje, asnjë prej tyre nuk dinte shkaqet. Sipas tyre dhe kolegëve të Lilianës, ajo nuk kishte shfaqur asnjë shenjë shqetësimi, çka mund t’u linte atyre të kuptonin arsyet e këtij vetëhelmimi.
Shtetasja Liljana Lorja punonte prej vitesh infermiere në spitalin e qytetit të Durrësit, në të cilin gëzonte respektin e të gjithë stafit mjekësor. Prej kohësh, detyra e saj ishte përcaktuar nëpër pavionë të ndryshëm të spitalit, ndërsa prej rreth 1 viti ishte vendosur pranë urgjencës, në pritje të dhënies së ndihmës së shpejtë për pacientët. Gjithashtu ajo kishte punuar dhe si faturuese e pagesës që kryenin të sëmurët kundrejt shërbimeve që ofronte spitali i Durrësit. Mësohet se në ditët e ardhshme do të merren sërish dëshmitë e familjarëve të viktimës dhe kolegëve të saj të punës, për të hedhur dritë mbi ngjarjen e rëndë.