SHBA: Pavarësia e pakthyeshme, mbështetja jonë e pandalshme
Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka siguruar autoritetet kosovare se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, kurse mbështetja amerikane për të do të jetë e pandalshme. Kështu u shpreh Kristofer Dell, i cili tashmë ka marrë detyrën e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë. Ambasadori Dell i ka dorëzuar letrat kredenciale Presidentit Fatmir Sejdiu, duke e siguruar atë dhe popullin e Kosovës për interesimin e vazhdueshëm të Uashingtonit për Kosovën. “Mund t’ju siguroj juve si president dhe popullin e Kosovës se mund të llogarisni Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partner tuajin”, tha Dell duke rikujtuar parimet kryesore të politikës amerikane ndaj Kosovës. “Së pari, pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, kurse mbështetja amerikane për atë do të jetë e pandalshme. Së dyti, Qeveria amerikane mbetet e përkushtuar të mbështesë një Kosovë demokratike, shumetnike dhe të integruar në strukturat euroatlantike”, tha Dell. “Unë i shoh 5 pika që duhet t’i përmbushim së bashku. Të vazhdojmë ndërtimin e institucioneve demokratike. Të sigurohemi që Kosova të mbetet shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj dhe të gjithë të marrin pjesë në procesin e ndërtimit të së ardhmes. Të krijojmë një qëndrueshmëri ekonomike për të ofruar prosperitet për qytetarët. Të punojmë bashkë në sundimin e ligjit dhe përfundimisht të punojmë me partnerët evropianë për të ardhmen evropiane të Kosovës”, theksoi ai duke shprehur sigurinë “që së bashku do t’ia dalim”. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka shprehur mirënjohjen për Qeverinë amerikane, për mbështetjen që i jep në vazhdimësi Kosovës. “Është kënaqësi e veçantë për ne që zoti Dell është një njohës i mirë i të gjitha zhvillimeve e rrethanave në Kosovë; ka qenë edhe një kohë të mëhershme këtu dhe ka udhëhequr me sukses misionin amerikan në Kosovë. Do të kemi një bashkëpunim jashtëzakonisht të ngushtë me të dhe me të gjithë ekipin që do ta udhëheqë”, tha Sejdiu. Ambasadori Kristofer Dell ka pasuar në këtë detyrë ish-ambasadoren Tina Kaidanov, e cila është angazhuar në një detyrë të re diplomatike.